E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE kundër hapjes së kutive

 

ADI SHKEMBI

Pas Kongresit të Autoriteteve Lokale, edhe Këshilli i Evropës kritikon qëndrimin e opozitës pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Dy përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të KiE, Jaako Laakso dhe David Wilshire, u takuan dje në ditën e fundit të vizitës në Tiranë me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha dhe zv.kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta.
Qëndrimi
Në takimin me Kryeministrin Berisha u diskutua mbi situatën pas zgjedhore në vend. Sipas njoftimit për shtyp, Kryeministri Berisha u bëri me dije reporterëve të Këshillit të Evropës se zgjedhjet parlamentare ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara në Shqipëri, gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, me infrastrukturën më moderne të teknologjisë së lartë të informacionit, me kuadrin ligjor tërësisht të ri, të hartuar dhe miratuar me konsensus të gjerë mes maxhorancës dhe opozitës. “Për sa i përket kërkesave të opozitës në vend për rinumërim, në takim u theksua se, në asnjë rast, politika nuk mund të ndërhyjë për të ndryshuar vendimet e gjykatave”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave. Kreu i ekzekutivit vlerësoi mbështetjen që reporterët e Asamblesë Parlamentare dhe Këshilli i Evropës i kanë dhënë Shqipërisë, duke shtuar se qeveria është e vendosur të vazhdojë këtë bashkëpunim. “Përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u shprehën se i qëndrojnë plotësisht raporteve tashmë të publikuara nga faktori ndërkombëtar për zgjedhjet, përfshi edhe vëzhguesit e dërguar nga KE, dhe se nuk ka nevojë që të diskutohet më për këtë çështje në raportin që ata po përgatisin”, bën të ditur zyra e shtypit e Kryeministrisë. Gjatë vizitës së tyre, reporterët e KiE-së, u takuan edhe me Presidentin Bamir Topi. Kreu i shtetit u ndal në disa prej arritjeve më konkrete dhe perspektivës së realizimit të reformës në fushën e drejtësisë për përmirësimin e sistemit gjyqësor, ruajtjen e pavarësisë institucionale, rritjen e profesionalizmit, rritjen e imazhit dhe integritetit të gjyqtarëve, realizimin e transparencës ndaj publikut, si dhe për fitimin e besueshmërisë së tij ndaj vendimeve të institucioneve dhe organeve të drejtësisë në vend. “Komisionerët evropianë, pasi vlerësuan lart rolin e rëndësishëm dhe moderator të Presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe ligjeve, të pavarësisë së institucioneve dhe në ruajtjen e ekuilibrave politikë në vend, vunë në dukje gjithashtu edhe nevojën e vazhdimësisë së reformave, përmbushjes së standardeve dhe të përparimit në këtë rrugën e sigurt të realizimit të aspiratave integruese të Shqipërisë për në gjirin e familjes së madhe evropiane”, bëhet e ditur nga Presidenca. Gjithashtu përfaqësuesit e Këshillit të Evropës u takuan edhe me Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, i cili shprehu bindjen se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, aplikimi për statusin e vendit kandidat për në BE, si dhe ecuria në procesin e liberalizimit të vizave, janë tregues të drejtpërdrejtë të suksesit të reformave institucionale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›