E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri: Për orët shtesë pedagogët të paguhen 100%

 

zirina llambro

Asnjë orë pune e papaguar për pedagogët e Universitetit të Tiranës. Vetëm një ditë pas urdhrit për të mos i lejuar të punojnë te privati, Rektorati i UT merr një tjetër vendim. Me të i jepet udhë interpretimit të ligjit, e mbi të gjitha të udhëzimit të MASH për pagesat e stafit akademik kur tejkalohet ngarkesa mësimore. Ky i fundit është kundërshtuar jo pak nga krerët e fakultete. Gjithaq dekanët dhe kancelarët janë udhëzuar që të zbatojnë kodin e punës sa i përket orëve mësimore në ditët e pushimit, ku pagesat do të jenë minimalisht dy herë më të larta se në ditët normale. Atyre do t’u lihen hapësira edhe për të caktuar tarifa të veçanta për një orë mësimi në fakultete. Me këto ndryshime, mesatarisht një pedagog do të marrë në një vit akademik rreth 300 mijë lekë mbi pagën. Urdhri që mban firmën e Rektorit Dhori Kule është dhënë bazuar në situatën faktike të konstatuar për problemin e pagesës së personelit akademik për tejkalimin e ngarkesës mësimore për vitin akademik 2008 -2009, si dhe pagesën e pedagogëve të jashtëm për ngarkesën e realizuar”. Pra përveç zbatimit për vitin akademik që sapo ka nisur, skema e re do të aplikohet  edhe për atë të mëparshëm”. Të kryhet pagesa në masën 100 % për tejkalimin e ngarkesës mësimore të realizuar nga personeli akademik efektiv i Universitetit të Tiranës për vitin akademik 2008-2009", thuhet në urdhër. Në po të njëjtën masë do të jetë edhe për pedagogët e jashtëm. Me udhëzimin e ministrisë, që pritet të ndryshojë, për orët shtesë pedagogët paguheshin vetëm në masën 30%. Në këtë formë, një pjesë e mirë e punës së tyre mbetej e papaguar. Urdhri i ri i jep fund këtij ngërçi, që shkaktohej nga udhëzimi. “Përballmi i shpenzimeve për pedagogët efektiv do të kryhet deri në masën 30%’ nga fondet e buxhetit të shtetit, të miratuara me këtë destinacion dhe pjesa tjetër nga të ardhurat e Universitetit të Tiranës”, saktësohet në urdhër. Sipas tij, në rastet kur nuk mjaftojnë fondet e buxhetit të Shtetit, për të përballuar pagesat deri në 30% të tejkalime të stafit pedagogjik efektiv, atëherë do  të përdoren të ardhurat e vetë Universitetit të Tiranës. Sipas Rektoratit, në këtë mënyrë rritet motivimi dhe krijohet fleksibilitet në trajtimin e stafit akademik. Dy ditë më parë, pas ankesave të studentëve dhe dekanëve, Rektorati urdhëroi ndalimin  e dypunësimit të tyre për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve. Nëse nuk zbatohet, pedagogëve do t’u ndërpritet kontrata. Urdhri erdhi pas ngritjes së  shqetësimeve, qoftë nga këshillat studentorë, qoftë nga dekanët mbi prezencën e pedagogëve në auditorë dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë kërkimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›