E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon McIlwham: Do të bëj zgjedhjet më demokratike



Kryeministri Sali Berisha informon ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, në Tiranë, znj. Fiona McIlwham, se do të bëjë çdo përpjekje për të realizuar zgjedhjet më demokratike në Shqipëri. Gjatë takimit të djeshëm, me interesimin e ambasadores, Kryeministri foli për procesin e zgjedhjeve dhe theksoi vullnetin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për garantimin më 28 qershor të zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Pasi i shprehu urimet më të mira dhe suksese në misionin e saj shumë të rëndësishëm, Berisha e siguroi ambasadoren se në misionin e saj do të ketë gjithnjë përkrahjen e tij dhe të qeverise që drejton. Kryeministri shprehu kënaqësinë për nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve si dhe mirënjohjen për përkrahjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Ambasadorja e siguroi Kryeministrin Berisha se gjatë misionit të saj në Shqipëri, do të punojë për zgjerimin e forcimin e marrëdhënieve. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, - tha ambasadorja, - është një arritje e rëndësishme për vendin tuaj, por dhe një garanci më e madhe për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve tona”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›