E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Edhe rrugicat do t’i veshim me asfalt



Jo vetëm rrugët kombëtare, por edhe rrugicat qeveritarët demokratë do t’i veshin me asfalt. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, njëkohësisht kryesues i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, gjatë takimeve elektorale në qarkun e Fierit vuri në dukje se "shqiptarët shumë shpejt do të jenë qytetarë evropianë me të gjitha standardet e kërkuara". Z. Olldashi zhvilloi dy takime, në lagjen Margëllic të qytetit të Patosit dhe në fshatin Zharrës të komunës me të njëjtin emër. Duke iu drejtuar banorëve ai tha: "Qytetarët shqiptarë do të jenë qytetarë evropianë, jo thjesht se do të aderojnë në BE dhe do të lëvizin lirisht, por se do të gëzojnë të gjitha standardet në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, ekonomi etj.". Në takimin me banorët e komunës Zharrës ai premtoi se muaji shtator do ta gjejë shkollën e kësaj komune me shtesën e re, pasi edhe kontrata me Ministrinë e Arsimit është firmosur, ndërsa shumë shpejt banorët e kësaj komune do të furnizohen me ujë të pijshëm pa ndërprerje në 24 orë. "Çdo rrugë e rrugicë do të vishet me asfalt gjatë mandatit të dytë qeverisës", - theksoi z. Olldashi, duke i ftuar banorët që së bashku ta fitojnë këtë sfidë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›