Topi merr në dorë projektet e “Ambasadorëve të Paqes”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, njihet me projektet e reja të “Ambasadorëve të Paqes” dhe vlerëson rolin gati dymbëdhjetëvjeçar të shoqatës së tyre, në mënyrë të veçantë ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e të rinjve shqiptarë nga të gjitha krahinat e vendit, sidomos nga zonat veriore, në aktivitetet social-kulturore, por dhe njohjen e tyre me aspektet më kryesore shoqërore dhe ekonomike në vend. Z. Topi priti dje në Pallatin e Brigadave, përfaqësues të shoqatës “Ambasadorët e Paqes”. Ai u njoh me disa prej projekteve të veprimtarive dhe nismave të kësaj shoqate, si “Kambana e Paqes, “Ishulli i Paqes”, “Shkolla vjen tek unë” si dhe krijimi i rrjetit ndërlidhës me misionarë të paqes në Kosovë. "Ky është një mision fisnik i njerëzimit, i cili duhet të jetë një qëllim në vetvete edhe për shumë struktura të tjera shtetërore dhe të shoqërisë civile, duke ndihmuar kështu të gjithë së bashku në edukimin dhe formimin e plotë dhe me standarde të brezit të ri, që është mekanizmi më dinamik dhe më shpresëdhënës për zhvillimin e mëtejshëm të vendit". Presidenti Topi iu përgjigj interesimit të pjesëmarrësve në këtë takim për çështje të ditës, siç janë problemet sociale në zonat rurale, arsimimi i fëmijëve dhe të rinjve, lufta kundër dukurisë së gjakmarrjes, punësimi, vlerat e vërteta njerëzore, pjesëmarrja dhe roli i brezit të ri në jetën shoqërore etj.