Mediu: Shqiptarët do të përjetojnë suksese të tjera
Gjatë mandatit të dytë qeverisës, 2009-2013, shqiptarët nën qeverisjen e së djathtës do të përjetojnë suksese të tjera të mëdha, pas anëtarësimit në NATO, tashmë edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i pranishëm në hapjen zyrtare të fushatës elektorale për qarkun e Tiranës, u shpreh: “Më 28 qershor, shqiptarët duhet të votojnë që të bëjnë realitet projektet e tyre”. Ai siguroi: “Ne duhet të realizojmë ëndrrën dhe qëllimin tonë, i cili pa dyshim do të jetë kontributi më serioz në Parlament dhe qeverisje së bashku me demokratët për të ndërtuar Shqipërinë evropiane, për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët të kombit shqiptar. ‘Sot në NATO, nesër në BE’”. Kryetari republikan, Fatmir Mediu, vuri në dukje: “Duke votuar për Partinë Republikane, jo vetëm ju i keni dhënë zë votës suaj, por do të përjetojmë suksese të tjera, për të bërë historinë e Shqipërisë”.