Kartat, Nishani, Grossruck: Gati standardet e zgjedhjeve
Ministri i Brendshëm, z. Bujar Nishani, njohu dje koordinatorin special të OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri, z. Wolfgang Grossruck, me ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit. Nishani e informoi z. Grossruck me punën e kryer nga Ministria e Brendshme dhe strukturat e saj për përgatitjen e një infrastrukture zgjedhore të atillë që të përmbushë standardet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Për sa i takon interesimit të z. Grossruck për pretendimet e PS-së për mungesë transparence dhe mungesë informacioni, ministri Nishani informoi se Ministria e Brendshme ka vënë në dispozicion të kësaj partie dhe komisionit parlamentar ad-hoc çdo informacion të kërkuar, duke përjashtuar vetëm rastet kur dhënia e këtij informacioni nuk ka qenë e lejuar për konfidencialitetin e të dhënave personale. “Ne kemi përmbushur përgjegjësitë tona për këtë proces, së pari duke ngritur kapacitetet e nevojshme teknike, ku aktualisht në terren kemi 500 stacione aplikimi, duke vendosur orare të zgjatura pune që tani shkojnë deri në 14 orë në ditë për 7 ditë të javës në shërbim të qytetarëve, së dyti, duke informuar çdo qytetar për zhvillimin e këtij procesi jo vetëm nëpërmjet informacioneve e deklaratave zyrtare, por edhe nëpërmjet një fushate intensive publicitare. Deri tani kanë aplikuar rreth 1.3 milionë shtetas dhe mbi 800 mijë prej tyre i kanë tërhequr letërnjoftimet elektronike”, - tha z. Nishani. Koordinatori special i OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, z. Wolfgang Grossruck, u shpreh se nuk ka asnjë dyshim se për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore është bërë një punë e shkëlqyer e profesionale dhe sugjeroi nga ana tjetër që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë ligjore për të forcuar klimën e besimit mes forcave politike për organizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe duke përmbushur standardet ndërkombëtare. Ministri i Brendshëm informoi në takim edhe për krijimin e Regjistrit Kombëtar Elektronik të Gjendjes Civile, regjistër i cili u krijua sipas modelit austriak, si një nga më të përparuarit në këtë fushë dhe nën asistencën e vazhdueshme të OSBE-së dhe delegacionit të KE-së në Tiranë. Ministri Nishani nënvizoi se nga ky regjistër ka buruar lista paraprake e zgjedhësve, e publikuar brenda afateve të përcaktuara ligjore, katër muaj para datës së zgjedhjeve, duke i dhënë mundësinë kështu çdo zgjedhësi të verifikojë ku gjendet në listë, në cilën qendër do të votojë dhe cila është adresa e qendrës së votimit.