E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon Nuncin Apostolik, Arqipeshkvin Ramiro Moliner Ingles

Kryeministri Sali Berisha priti dje në takim Nuncin Apostolik, Arqipeshkvin Ramiro Moliner Ingles.
Pasi i uroi Nuncit Apostolik mirëseardhjen, Berisha e falënderoi për mbështetjen dhe kontributin që Vatikani ka dhënë në shembjen e komunizmit në tërësi dhe në përpjekjet për përmbysjen e diktaturës dhe vendosjen e demokracisë në Shqipëri.
Nunci Apostolik e falënderoi kryeministrin për pritjen dhe u shpreh jashtëzakonisht i impresionuar nga zhvillimet dhe progresi në Shqipëri. Ai e falënderoi kryeministrin Berisha për mbështetjen që ai dhe qeveria shqiptare po japin në ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve dhe shkollave që kanë për qëllim edukimin shpirtëror të shqiptarëve dhe forcimin e besimit te Zoti.
Kryeministri vuri në dukje virtytin e Shqipërisë dhe shqiptarëve për sa i përket harmonisë dhe tolerancës fetare dhe respektit që ata tregojnë për ndjenjat shpirtërore të besimeve të ndryshme fetare.
Nunci Apostolik, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Ingles, vlerësoi lart këtë virtyt të shqiptarëve, duke theksuar se harmonia fetare dhe respekti ndaj besimit të tjetrit është një vlerë e madhe me të cilën shqiptarët me të drejtë mund të krenohen.
Kryeministri Berisha dhe Nunci Apostolik shprehën vullnetin e të dy palëve për vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer dhe forcimit të marrëdhënieve mes qeverisë shqiptare dhe Vatikanit.
Kryeministri Berisha tha se shqiptarët e kanë ende shumë të gjallë kujtimin e vizitës historike së Papa Gjon Palit II në Shqipëri, ndërsa theksoi se Papa Benedikti XVI është i mirëpritur të vizitojë në çdo moment.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›