E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi pret Ambasadorin e Komisionit Europian Helmut Lohan/ Raporti i Përparimit vë në dukje arritjet e Shqipërisë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në një takim pune Ambasadorin e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan. Lohan i dorëzoi Kryetarit të Shtetit "Raportin e Përparimit të Shqipërisë për vitin 2007-08”, të hartuar nga Komisioni Evropian. Gjatë takimit me kreun e shtetit, Ambasadori Lohan paraqiti vëzhgimet dhe vlerësimet e Raportit të Përparimit duke vënë në dukje arritjet e Shqipërisë për sa i përket përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, reformat e suksesshme në drejtësi dhe atë zgjedhore, të arritura me konsensus politik, rritjen e shpejtë ekonomike, rolin moderues dhe të rëndësishëm të vendit tonë dhe faktorit shqiptar në rajonin ballkanik për sigurimin dhe ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të tij.
Nga ana e tij Presidenti Topi vlerësoi vëzhgimet e Raportit të Përparimit dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të strukturave të Bashkimit Europian për Shqipërinë përgjatë gjithë rrugëtimit të saj integrues si dhe për vetë punën dhe rolin e rëndësishëm të Ambasadorit Lohan.

Helmuth Lohan
“Fjala progres është kudo në raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe ky raport nuk le dyshime për progresin e bërë” u shpreh ambasadori i Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmuth Lohan ndërsa i dorëzoi Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli raportin e progresit të Shqipërisë për vitin 2008. Nga ana e saj Kryetarja e Kuvendit e cilësoi raportin si mjaft objektiv dhe realist, duke shprehur njëkohësisht dhe kënaqësinë që raporti I ka bërë punës së Parlamentit si të konsoliduar. Ndër të tjera Topalli u shpreh se “Ky raport është ratifikim i progresit të madh të bërë në Shqipëri. Ky është raporti më pozitiv që ka ardhur ndonjëherë në zyrat e institucioneve shqiptare. Ai do të jetë axhenda e punës së parlamentit dhe do t’i shpërndahet çdo deputeti, që ata të njihen me progresin e bërë dhe me sfidat që kemi përpara”. Lidhur me Strategjinë e Komisionit Evropian për zgjerimin, ambasadori Lohan theksoi se avancimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të përshpejtohet, dhe statusi i kandidatit mund t’i jepet vendeve që kanë potencialin e duhur. Lohan theksoi se “sipas kësaj strategjie, e cila ka një sens pozitiv, Bashkimi Evropian mund të propozojë heqjen e regjimit të vizave në vitin 2009 për këdo nga vendet që do të plotësojë kushtet e nevojshme”.
Ambasadori i Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmuth Lohan, u shpreh i bindur për liberalizimin e vizave Shqipëri-BE në vitin 2009. Pas prezantimit të Progres-Raportit vjetor të KE-së për Shqipërinë, Ambasadori Lohan iu përgjigj interesimit të medias lidhur me liberalizimin e regjimit të vizave. Në këtë drejtim, ai vlerësoi se Shqipëria ka pasur progres në një sërë fushash, të cilat janë të rëndësishme për liberalizimin e vizave si kontrolli i kufirit, apo përgatitja e dokumenteve të sigurta të identifikimit. Sipas tij, “qeveria shqiptare është e angazhuar që të vazhdojë të punojë për udhërrëfyesin që është nxjerrë prej KE-së lidhur me liberalizimin e vizave, por sigurisht që ka disa standarde të tjera që duhen plotësuar. Nuk mendoj se duhet të përjashtohet fakti se Shqipëria mund të plotësojë këto kërkesa dhe të arrijë ato standarde për 2009 dhe meqenëse unë jam optimist.
Nga ana tjetër Ambasadori i KE-së në Shqipëri, Lohan, vlerësoi se nevojitet një kod elektoral gjithëpërfshirës për zgjedhje sipas standardeve. Ai u shpreh se zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 kanë për të qenë një test i ecurisë dhe i funksionimit të demokracisë në Shqipëri. Ambasadori Lohan vuri në dukje se reforma elektorale dhe përgatitja e zgjedhjeve të përgjithshme ka nevojë për konsultime të plota të të gjithë aktorëve apo palëve të interesuara.

Në përgjigje të interesimit të gazetarëve për disa çështje që lidhen me të ardhmen e vendit dhe të cilat janë trajtuar në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, Kryetari i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadori Helmuth Lohan, deklaroi se Shqipëria ka bërë përparime shumë të rëndësishme në një sërë fushash. Sipas tij, qeveria po tregon vullnet të palëkundur në drejtim të liberalizimit të vizave me BE.
Vendet e Ballkanit duhet të plotësojnë shpejt kushtet, për procesin e lëvizjes së lirë. Mazhoranca jonë qeverisëse, a premton që brenda vitit 2009, shqiptarët do t’ia arrijnë kësaj dite? A e shikon BE-ja, pjesën e gotës plot në këtë çështje?
Shqipëria ka bërë përparime shumë të rëndësishme në një sërë fushash, për liberalizimin e vizave, si për shembull, për kontrollin e kufijve, procesin e prodhimit të dokumenteve të identifikimit. Qeveria shqiptare është e angazhuar për të vazhduar në punën e saj, sipas pikave të marrëveshjes që është krijuar për liberalizimin e vizave. Janë disa kushte të tjera të cilat duhet të plotësohen, në rrugën e drejtë. Nuk e përjashtoj që Shqipëria mund të aplikojë deri në vitin 2009.
Edhe këtë vit ka një gjuhë plotësisht diplomatike nga ana e Bashkimit Evropian, në raport me progresin e arritur nga Shqipëria. Nëse do të mundni, gjithsesi, në një shkallë, nga 1 në 10, çfarë vlerësimi do të bënit në progres raportin e vitit 2008, krahasuar me progres raportin e vitit 2007? Dhe a ka një besim të ekzagjeruar se mund të ndodhë në vitin 2009 që politika shqiptare, qeveria shqiptare, mund të aplikojë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian?
Gjuha jonë nuk mund të bëhet jo diplomatike, duke thënë këtë unë jam i bindur se raporti është i qartë dhe fazë apo ecurinë e arritjeve dhe sfidat përpara. Nuk ka kuptim për të ndjekur dokumentin prej 56 faqesh, nga 1 deri te 10. Ato që janë të interesuar do të shikojnë fushat që duken më të rëndësishme, por për vendin dhe për të gjithë vendin, për të avancuar drejt një pozicioni, ashtu siç duhet edhe për votën e kandidatit është e rëndësishme që të përparohet në të gjitha fushat, në kriteret ekonomike, politike, por dhe nga kriteret dhe standardet evropiane. Nëse shkoni në detaje të raportit, do të kuptoni menjëherë vështirësinë e punës që e prêt Shqipërinë. Nëse do të aplikojë apo në 2009-ën Shqipëria, ky është një vendim politik që duhet të merret nga Shqipëria. Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian, e kanë përsëritur disa herë se vende që demonstrojnë gatishmërinë e tyre mund t’ia dalin për të marrë statusin e vendit kandidat.

Për sa i takon liberalizimit të vizave dhe statusit të vendit kandidat, nuk dhatë afat. Zgjedhjet e vitit 2009, do të jenë përcaktuese dhe të lidhura drejtpërdrejt në këto dy procese?
Raporti i Progresit, kthehet pas dhe shikon nga 2007-a deri në fillim të 2008-ës. Përparimi i bërë gjatë këtij viti do ti shërbejë të gjithëve për të menduar që të aplikojnë për anëtarësim. Janë të dyja, ajo çfarë është arritur dhe ajo që do të arrihet. KE nuk mund të japë këshilla Shqipërisë, nëse duhet të aplikojë për anëtarësim në vitin 2009. Përmes rrugës së drejtë, të liberalizmit të vizave, dokumentet e sigurta janë një nga kapitujt në këtë hartë, por nuk është e vetmja. Rëndësia për të pasur dokumente të besueshme është e nevojshme, por jo kusht i vetëm, për liberalizimin e vizave.

Sipas raportit, Shqipëria ka bërë hapa para. A janë këto, në sajë të reformave të përpikta të qeverisë?
Po. Sigurisht, klima politike, jo vetëm në veprimet e aktorëve të tjerë politikë, jo vetëm nga qeveria, por kur e shikon nga pikëpamja e KE, përparimi i bërë në këtë fushë është një arritje e qeverisë.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›