Berisha takon Obamën: Do të vij në Shqipëri
Në Samitin për Ndryshimin e Klimës në Danimarkë, Kryeministri Berisha takoi Presidentin e SHBA-ve z. Barack Obama. Pas takimit, z. Berisha u shpreh: “Presidenti Obama m’u përgjigj me shumë kënaqësi se “It will happen”, “do të ndodhë” dhe unë, - tha z. Obama, - do të vij". Po ashtu, gjatë drekës takova përsëri Sekretaren amerikane të Shtetit, znj. Hillary Clinton, me të cilën shkëmbyem jo vetëm përshëndetje, por edhe mendime të përzemërta. Sekretarja e Shtetit, Clinton, sërish më premtoi se do të vizitojë Shqipërinë”.
“Do të vij në Shqipëri...” Këtë premtim i dha dje në Kopenhagen Presidenti i shtetit më të fuqishëm të botës, Barack Obama, Kryeministrit të vendit, z. Sali Berisha. Në ditën e dytë të pjesëmarrjes së tij në Samitin për Ndryshimin e Klimës në Danimarkë, z. Berisha pati një takim gjatë drekës me Presidentin e Shteteve të Bashkuara z. Barack Obama. Gjithashtu, Kryeministri është takuar edhe me Sekretaren e Shtetit, znj. Hilary Klinton. Lidhur me këto takime, Kryeministri u shpreh: “Pata rastin të takohem dhe të bisedoj shkurtimisht, por shumë përzemërsisht me Presidentin Obama, i cili tregoi një interes të gjallë për Shqipërinë. Unë iu përgjigja interesit të tij se të gjithë shqiptarët po presin ngjarjen e premtuar, vizitën e Presidentit Obama në Shqipëri. Presidenti Obama m’u përgjigj me shumë kënaqësi se “It will happen”, “do të ndodhë” dhe unë, - tha z. Obama, - do të vij". Po ashtu, gjatë drekës takova përsëri Sekretaren amerikane të Shtetit, znj. Hillary Clinton, me të cilën shkëmbyem jo vetëm përshëndetje, por edhe mendime të përzemërta. Sekretarja e Shtetit, Clinton, sërish më premtoi se do të vizitojë Shqipërinë”.
Berisha takon 30 liderë të botës, lobon për Kosovën shtet
Kryeministri Sali Berisha promovon reformat e Shqipërisë para liderëve botërorë në samitin e Kopenhagenit. Samitin e Kopenhagenit për ndryshimin e klimës, kryeministri Sali Berisha e ka shfrytëzuar maksimalisht për të takuar liderët kryesorë botërorë, duke i bërë vendit promovim në nivelet më të larta të politikës botërore. Gjatë darkës mbretërore të organizuar nga Mbretëresha e Danimarkës, Kryeministri Berisha u takua dhe bisedoi me rreth 30 kryeministra e presidentë për shtimin e pranisë së vendeve të tyre si investitorë në Shqipëri, ndërsa mori prej tyre mbështetjen e plotë për integrimin e vendit. Në takimet me Presidentin francez, Sarkozy, Kancelaren Angela Merkel, Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, Kryeministrin e Belgjikës z. Yves Leterme, Kryeministrin e Kanadasë z. Harper, atë të Norvegjisë z. Stoltenberg, Kryeministrin e Japonisë Hatoyama dhe shumë krerë të tjerë qeverish, z. Berisha e përkufizoi ekonominë shqiptare në një gjendje solide me rritje 5 për qind në vit, me stabilitet të plotë makroekonomik, deficit buxhetor 3.9 për qind, rritje të investimeve, zhvillim te turizmit dhe stabilitet të sistemit bankar në vend. Gjate darkës mbretërore, Kryeministri Berisha u takua edhe me Presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe Presidentin e Parlamentit Evropian, Jersi Busek, të cilët, siç thuhet në njoftimin zyrtar, bashkë me kryeministrat e tjerë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, kanë mbështetur procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Shqipëria vazhdon lobingun për njohjen e shtetit të Kosovës. Kryeministri Berisha shfrytëzoi samitin e Kopenhagenit për ndryshimet klimaterike, për t’u takuar me liderë nga vende të ndryshme të botës për të kërkuar mbështetjen e këtyre shteteve për njohjen e pavarësisë së shtetit më të ri në Evropë. Kreu i ekzekutivit shqiptar mori premtimin për shqyrtimin me përparësi të rastit të Kosovës nga vendet, të cilat nuk e kanë ndërmarrë ende këtë hap. “Këtu një qëllim më madhor është që të loboj për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Fatmirësisht, në këtë aktivitet është shumë e lartë pjesëmarrja nga të gjitha kontinentet. Takova presidentë dhe kryeministra nga katërmbëdhjetë vende të Afrikës dhe Azisë, takova Presidentin e Indonezisë, atë të Gaborit, të Kiribatit, të Izraelit, kryeministrat e Mongolisë, Gambias, Tajlandës, Marokut, Trinidadit, si dhe një seri kryetarësh shtetesh dhe kryeministrash të tjerë”, - u shpreh ai. Z. Berisha shtoi më tej: “Jam përpjekur në të gjitha këto raste të paraqes çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës si një kontribut real të këtyre vendeve për stabilitetin dhe paqen në rajonin tonë. Mund të them me përgjegjësi të plotë se situate nga shtatori, kur u zhvillua samiti i OKB-së e deri më sot, për Kosovën është shumë më e favorshme”. Kryeministri Berisha është shprehur optimist se shume shpejt do të ketë njohje të reja për shtetin e ri të Kosovës. Ai konfirmoi se përfaqësues të këtyre vendeve që më siguruan se ata janë të gatshëm të vendosin menjëherë kontaktet me autoritetet më të larta të Kosovës, pati të tjerë të cilët më thanë se ata do ta shqyrtonin dosjen sapo të ktheheshin në vendet e tyre dhe ky ishte një zhvillim pozitiv, nga shatori në dhjetor unë e gjej çështjen e pavarësisë së Kosovës në një zhvillim më të madh pozitiv”. Gjatë qëndrimit të tij në Danimarkë, Kryeministri Berisha është takuar edhe me Kryeministrin e Maqedonisë, Presidentin e Kroacisë, Kryeministren e Islandës dhe shumë personalitete të tjera, me të cilët ka biseduar për zhvillimet në Shqipëri, projektin madhor të integrimit të vendit në BE, zhvillimin ekonomik, si dhe bashkëpunimin e ndërsjellë mes vendeve mike.
Mbretëresha e Danimarkës, Margarett 2, organizoi një darkë për nder të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse në samitin për klimën në Kopenhagen. I pranishëm në këtë darkë, kreu i ekzekutivit Berisha ka shfrytëzuar rastin për të bashkëbiseduar me liderët botërorë të pranishëm në darkën mbretërore për të biseduar për përpjekjet e Shqipërisë për të përballuar pasojat e ndryshimit të klimës dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për zhvillimin e të gjithë potencialeve të saj për energji të rinovueshme. Z. Berisha i njohu gjithashtu dhe me zhvillimin ekonomik që po njeh vendi ynë, ndërsa i ka bërë ftesë Presidentit francez, Kancelares gjermane, Sekretares amerikane të Shtetit si dhe disa krerëve të qeverive evropiane për të vizituar Shqipërinë, ftesë që ka marrë përgjigje pozitive nga këta të fundit.