E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër; Analiza: Viti 2009, goditje ndaj trafikut të paligjshëm

Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Gjirokastër ka zhvilluar dje analizën vjetore, ku gjatë këtij viti vëmendje të veçantë i ka kushtuar parandalimit të kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror. Referuar deklarimit të drejtuesve të kësaj drejtorie, kjo është arritur nëpërmjet goditjes dhe vënies para përgjegjësisë ligjore të elementëve, të cilët merren me dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror. Një nga detyrat parësore funksionale të specialistëve për hetimin e krimit ka qenë dhe intervistimi i shtetasve të deportuar të kthyer nga pala greke, ku si rezultat i punës së bërë, është organizuar puna në bashkëpunim me stacionet e Policisë Kufitare për planifikimin më të mirë të shërbimeve në kufirin e gjelbër mbi bazën e deklarimeve të marra , gjë që ka dhënë efekte pozitive, duke rritur ndjeshëm kapjen nga efektivat e kufirit të gjelbër të shtetasve në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit. Drejtori i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin, Eduart Caka, gjatë fjalës së tij në këtë analizë u shpreh se “gjatë vitit 2009, nga ana e Sektorit të Shërbimeve Operacionale janë evidentuar 47 vepra penale dhe zbuluar 44 prej tyre me 48 autorë, nga të cilët 22 prej tyre ndiqen në gjendje të lirë, 21 prej tyre janë arrestuar në flagrancë, 3 ndaluar dhe 2 janë shpallur në kërkim”. Sipas analizës, të kapur nga njësitet e Policisë Kufitare janë 3238 shtetas në tentativë për të kaluar kufirin e gjelbër. Krahasuar me një vit më parë është rritur forca goditëse e shërbimeve, pasi vitin e kaluar janë kapur nga këto shërbime 3191 persona. Gjatë këtij viti janë organizuar 7 operacione treditore në bashkëpunim me palën greke, ku pasi janë bërë takime dhe janë përcaktuar zonat që do të mbulohen nga secila palë, në fund të operacioneve janë shkëmbyer të dhënat e arritura nga këto operacione të përbashkëta dhe rezultatet kanë qenë të kënaqshme. Gjithashtu, një ndër detyrat kryesore të efektivave që shërbejnë në kufirin e gjelbër ka qenë parandalimi i trafikut të qenieve njerëzore, lëndëve narkotike dhe neutralizimi i kalimit të paligjshëm të kufirit. Në bazë të punës së bërë nga efektivi policor, është arritur që të kapen 26 persona, të cilët kanë qenë në kërkim, sepse ka pasur një urdhër ndalimi nga prokuroritë e rretheve. Gjatë analizës së zhvilluar janë përcaktuar edhe prioritetet për vitin 2010. Kështu, ato janë menaxhimi i integruar i kufirit, parandalimi dhe goditja e trafikut të qenieve njerëzore, drogës, si dhe të gjitha veprave penale që tentojnë të kryhen nëpërmjet kufirit dhe PKK-ve dhe ndërtimi i një partneriteti shumë të mirë me të gjithë aktorët dhe agjencitë që shërbejnë në territorin shqiptar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›