Berisha takon Schmitt: Hungaria mbështet Shqipërinë në BE
Hungaria do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e integrimit. Kështu është shprehur presidnti hungarez Pal Schmitt, gjatë një pritje me kryeministrin Sali Berisha.
Nga ana tjetër Kryeministri Berisha bëri me dije përpjekjet dhe reformat e jashtëzakonshme të ndërmarra gjatë kësaj periudhe, për realizimin e projektit madhor kombëtar të anëtarësimit në BE. Ndërkaq gjatë qëndrimit në Hungari, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me përfaqësues të diasporës në Hungari dhe miq të Shqipërisë atje. Gjatë fjalës së tij zoti Berisha u shpreh se Shqipëria është një vend i vogël, me një klimë gjithnjë e më të mirë për biznesin, por është edhe një vend me potenciale shumë të mëdha në shumë fusha.
Në këtë takim, Ambasadorja e Shqipërisë në Hungari, znj. Mira Hoxha, prezantoi edhe Konsullin e Nderit të Shqipërisë për zonën e Pecs-it, zotin Avni Hafuzi. Kryeministri shprehu besimin se, me kontributin e tij, z. Hafuzi do të japë ndihmë të çmuar në marrëdhëniet mes dy vendeve.