E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon Vujanovic: Mbështesim integrimin në NATO të Malit të Zi

TIRANE-Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen Presidentit Vujanovic, i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve.
Të dy personalitetet shprehën vullnetin e përbashkët ti thelluar ato edhe më tej si dhe për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok.
Sic bën të ditur zyra e shtëpit të Kryeministrit, kreu i qeverisë Berisha vlerësoi hapat e bërë nga Mali i Zi në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, ndërsa e siguroi atë për mbështetjen që Shqipëria do të vazhdojë të japë në procesin e antarësimit të Malit të Zi në NATO.
Kryeministri Berisha dhe Presidenti i Malit të Zi theksuan se e ardhmja e të dy vendeve, por edhe e vendeve të tjera të rajonit, është integrimi në Bashkimin Evropian.

Më tej, Kryeministri bëri një ekspoze të zhvillimeve politike dhe ekonomike të vendit. Ai e njohu Presidentin e Malit të Zi me përpjekjet që qeveria shqiptare po bën për ndertimin e infrastruktures strategjike ku theks iu vu asaj energjitike. Ne kete drejtim, suksesi I projektit TAP u vleresua si me rendesi strategjike edhe ne nivel rajonal.

Kryeministri Berisha u shpreh se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë hapsira të gjera bashkëpunimi mes tyre, sidomos në fushën e energjetikës, infrastrukturës rrugore dhe turizmit.

Kryeministri Berisha përshëndeti investimet e bëra në infrastrukturë rrugore lidhëse midis dy vendeve, si dhe e njohu Presidentin malazez me projektet e qeverisë shqiptare për përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës rrugore që lidh Shqipërinë me Malin e Zi si dhe nënvizoi domosdoshmërinë e ngritjes në një nivel edhe më të lartë bashkëpunimin në fushën e turizmit.

Të dy bashkebiseduesit diskutuan edhe për zhvillimet në rajon. Kryeministri Berisha vlerësoi edhe njëherë qëndrimin e Malit të Zi në njohjen e Kosovës dhe nivelin e marrëdhënieve të krijuara mes tyre. “Jemi shumë të interesuar të shohim ndryshimin e faqes në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës” - tha Kryeministri Berisha. Nga ana e tij, Presidenti Vujanovic theksoi kontributin e Kryeministrit Berisha në drejtim të paqes dhe stabilitetit ne rajon.

(d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Topalli dhe Basha presin presidentin malazez Vujanoviç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›