E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon aktoren italiane Maria Cucinotta

 

Kryeministri Berisha priti dje në një takim aktoren dhe producenten e famshme italiane, Maria Grazia Cucinotta. Në vizitën e saj të parë në vendin tonë, Maria Grazia Cucinotta u shpreh e impresionuar nga zhvillimi i Shqipërisë, si dhe shprehu vlerësimet e saj më pozitive për artin dhe kulturën shqiptare, veçanërisht u ndal në talentin e mjaft artistëve shqiptarë, të cilët ajo kishte pasur rastin t'i takonte dhe me të cilët kishte bashkëpunuar më parë në Itali. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave "Kryeministri Berisha falënderoi znj. Maria Grazia Cucinotta, që zgjodhi vendin e tij për një projekt shumë të rëndësishëm dhe interesant, siç është telefilmi-serial kinematografik për të cilin ajo kishte ardhur në Tiranë dhe që ishte një bashkëpunim mes dy vendeve dhe me aktorë kosovarë dhe italianë". Gjatë këtij takimi kreu i qeverisë u shpreh se do të mbështesë përherë e më shumë projekte serioze, që do të ndihmojnë zhvillimin e artit skenik dhe kinematografisë në Shqipëri, duke vlerësuar se filmi është një transitor shumë i rëndësishëm i kulturës dhe dashurisë mes popujve dhe që ka një rol me peshë në edukimin e brezave të rinj. "Maria Grazia Cucinotta u shpreh mjaft e kënaqur nga bashkëpunimi me artistët shqiptarë gjatë këtij projekti dhe shprehu gatishmërinë, që shumë shpejt, në rolin e saj si producente, të vijë sërish këtu dhe të realizojë projekte të reja", thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Në të njëjtën kohë kreu i qeverisë ka vlerësuar kontributin e aktores dhe producentes së njohur, që nga fillimi i viteve '90, në thesarin e filmografisë jo vetëm italiane, por edhe asaj evropiane dhe amerikane me më shumë se 60 filma në rol protagonist dhe me 20 prodhime si producente me regjisorët nga më të mirët në botë si Woody Allen, Spike Lee, Ridley Scott, etj. Maria Grazia Cucinotta (e lindur në Sicili më 27 korrik 1968) ka marrë pjesë në disa filma dhe seriale televizive që nga viti 1990. Ajo është e njohur në Itali në pjesëmarrjen në disa filma, ndërkohë, që në skenën ndërkombëtare ajo është njohur me pjesëmarrjen e saj në filmat "Postieri", si dhe në filmin e James Bond "Bota nuk është e mjaftueshme". Ajo ka qenë e ftuar edhe në serialin "Sopranot" në episodin "Isabella". Gjithashtu, është parë edhe tek "Simpsons" si gruaja e keqe Francesca. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›