Bujar Qamili merr urdhrin "Mjeshtër i madh" i këngës popullore
"Kam marrë çmime, jam ngjitur në sa e sa skena festivalesh, por asnjëherë nuk ka ndjerë emocione kaq të forta". Kështu do të shprehej këngëtari i Bujar Qamili, menjëherë pas ceremonisë së marrjes së urdhrit "Mjeshtër i Madh" nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Në një ceremoni zyrtare të organizuar dje në mjediset e Pallatit të Brigadave, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të dekorimit nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit i dorëzoi z. Qamili urdhrin e lartë me motivacionin "për interpretimin me mjeshtëri të lartë artistike të këngëve popullore shqiptare dhe në veçanti të atyre shkodrane". U deshën të kalonin ca vite, që nga koha e propozimit nga ana e Shoqatës "Dashamirët e këngës shkodrane", Këshillit Bashkiak dhe të Qarkut, që këngëtari të merrte një vlerësim zyrtar, të cilin "de facto" ia ka dhënë publiku. Me gjithë tranzicionin që kaloi muzika shqiptare, Qamili i mbeti besnik këngës qytetare shkodrane. "Në vitet '90 ishte vërtetë shumë e vështirë të ruaje këngën të pacenuar, ashtu si e njeh populli. Futja e motiveve orientale e dëmtuan këngën popullore, por bashkë me këngëtarë të gjeneratës sime u munduam t'ia përcjellim brezit të ri këngën popullore sa më të pastër", thotë Qamili, ndërsa shton se është e vështirë t'i mbijetosh tregut. Megjithatë sipas tij, producentët muzikorë kanë nisur të distancohen nga krijimet pa jetëgjatësi dhe muzika popullore e vërtetë po gjen shtratin e vet. Ndonëse i qëndron idesë që kënga duhet kënduar ashtu si ruhet në popull, Bujar Qamili i pëlqen edhe variantet e orkestruara, por sipas tij edhe përpunimi, me masë. "Të mos ndërhyhet aq sa kënga të bëhet e panjohshme", thotë ai. Tashmë në fundvit, axhenda e aktiviteteve të këngëtarit është shumë e ngjeshur, megjithatë ai po gjen kohë të merret edhe me përgatitjen e albumit të tij të ri, që do të dalë vitin që vjen. Në të do të ketë kryesisht këngë qytetare shkodrane, por edhe të Shqipërisë së Mesme dhe një nga jugu. Gati një vit e gjysmë më parë, Qamili hodhi në treg albumin me titull "Njëri qan, tjetri gëzon", i cili u prit shumë mirë në Shqipëri, Kosovë e diasporë. Duke ndjekur gjurmët e këngëtarëve si Bik Ndoja, Naile Hoxha e Hafsa Zyberi, Bujar Qamili arriti të ndërtojë një karrierë të qëndrueshme dhe të suksesshme. Nisi të këndonte qysh në shkollën tetëvjeçare, mandej në shkollën e muzikës, në shtëpinë e kulturës, për të vijuar 10 vjet me radhë në Estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës. Ka fituar shumë trofe, si çmimi i parë tek Maratona e Këngës Popullore Shqiptare, çmimi i parë tek Festivali Mbarëkombëtar i Këngës Popullore Shqiptare, Diskun e Artë të Këngës Popullore Shqiptare, titullin "Këngëtar i Urdhrit Naim Frashëri i Artë", etj. a.m.