"Nuk kam siguri të vij në gjyq"
Trazhgim Sokolaj
Gjykata e Krimeve të Rënda ka administruar përgjigjen e përkthyer, të ardhur nga Italia, me deklaratën e Enver Dondollakut, i konsideruar si krahu i djathtë i Aldo Bares, nën akuzë si kapo i Bandës së Lushnjës. Në përgjigjen e mbërritur nga Italia, ku Dondollaku mbahet në gjendje arresti, ai është shprehur se nuk dëshiron të marrë pjesë në gjyqin që po zhvillohet ndaj tij në Tiranë. "I pandehuri ka deklaruar se siguria për jetën e tij nuk është e garantuar në Shqipëri dhe për këtë shkak, ka zgjedhur të përfaqësohet në gjyq nga avokati i tij Vladimir Meçi. Në përgjigjen e ardhur nga pala italiane, Dondollaku autorizon avokatin e tij të kërkojë shqyrtim gjyqësor apo gjykim të shkurtuar në varësi të procesit", thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, menjëherë pas dërgimit të dosjes në Gjykatë, për shkak të mungesës së Dondollakut dhe arrestimit të tij në Itali në maj 2005, sipas procedurave u dërgua letërporosi, me të cilën kërkohej mendimi i të pandehurit nëse dëshironte të merrte pjesë në gjyq apo të përfaqësohej me avokat. Përgjigjia mësohet se ka mbërritur dy muaj më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila u detyrua të ndante dosjen e Dondollakut në pritje të kësaj letërporosie dhe të vazhdonte gjykimin për të pandehurit e tjerë. Letërporosia e ardhur nga Italia është përkthyer në rrugë zyrtare dhe është administruar së fundi në dosje, si një akt procedural, që do t'i hapë rrugë vazhdimit të gjykimit për Enver Dondollakun.
Krimet e bandës
Ai është akuzuar për disa episode të krimeve të bandës së Lushnjës bashkë me shtatë anëtarë të tjerë të saj, Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Cici, Arjan Aliço, Jorgo (Agur) Muzaka (Musaku) dhe Rexhep Gina. Pas arrestimit të Dondollakut në Itali, Ministria e Brendshme në Tiranë i faturoi atij akuzat për një sërë krimesh të rënda, të ndodhura në qytetin e Lushnjës, në kuadër të organizatës kriminale të drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur edhe si Aldo Bare. "Enver Dondollaku akuzohet për: vrasjen e Inspektorit të Policisë Klenti Bano, vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-Shefit të Policisë Lushnje Komisar Sinan Meta, vrasjen e shtetasve Nimet ZENELI, Masar ALIU, Idajet BEQIRI, Luan BILBILI, Xhevet Demiri dhe disa personave të tjerë, vendosjen e një sasie eksplozivi në Stadiumin "Roza Haxhiu" në qytetin e Lushnjës, marrje peng dhe vënie gjobash ndaj shumë shtetasve dhe trafik ndërkombëtar droge dhe prostitucioni", janë shprehur burimet e Ministrisë së Brendshme.