E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zamira Kita, në rolin e prostitutës për 45 minuta

 

ALMA MILE

Për 45 minuta ajo duhet të mbajë publikun zgjuar emocionalisht. Nuk duhet t'i bëjë të qeshë siç e ka zakon, përkundrazi, të reflektojnë, pse jo edhe të qajnë. Këtë herë aktorja Zamira Kita provon me një monodramë. Pas shfaqjes në qytetin e Korçës, monodrama "Velloja e bardhë", e shkruar nga Odise Plaku, u ngjit mbrëmë në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar. Nuk është thjesht një rol dramatik. Zamira Kita, duhet të hyjë nën lëkurën e një gruaje që është e detyruar të prostituojë, për të mbajtur familjen. Një rol që Kitës i ka kushtuar shumë lodhje fizike dhe psikologjike. Nëse do t'i ofronin një tjetër monodramë, thotë se nuk do të pranonte.
Njiheni më shumë si një aktore humori, pse rrezikuat me një monodramë?
E mora përsipër, për të treguar se mund t'ia dal edhe në një rol të vështirë, me nota të forta dramatike. Më është dashur kohë e gjatë për ta përvetësuar personazhin, ndërkohë që lidhja ime me humorin është më e natyrshme. Megjithatë, pas 2 muajsh pune dhe investimi, sidomos emocional, them se këtë rol tashmë e kam brenda vetes.
Por është një kalim 360 gradë, duke qenë se luani rolin e një femre që shet trupin e vet...
Shkalla e vështirësisë rritet edhe më, kur bëhet fjalë për rolin e një gruaje, që prostituon për të mbajtur fëmijët e saj. Ka një ngarkesë emocionale të jashtëzakonshme, por dua të theksoj se në këtë vepër nuk përligjet prostitucioni, nuk përligjet zgjedhja që kjo grua ka bërë, ndonëse për hir të fëmijëve. Në të kundërt do ta ofronim si një zgjidhje të mundshme në raste të ngjashme. Vepra ka një fund tragjik. Është vetë personazhi që dënon veten dhe zgjedhjen e saj, duke u vetëvarur. Por prostituimi është një fenomen, që e ndeshim në Shqipëri dhe dëshiroj që publiku të marrë mesazhin e duhur nga kjo vepër.
Patët frikë nga reagimi i publikut?
Po, pata frikë. Publiku në Korçë është i vështirë. Kush e ndjek vazhdimisht teatrin, beson se Zamira mund ta realizojë një pjesë të tillë, pasi më ka parë në të tjera role dramatike, ndërsa një pjesë është skeptike. Megjithatë, shfaqja u prit shumë mirë dhe unë mora prej saj çfarë prisja.
Nëse do t'ju ofronin tani një tjetër monodramë, do ta pranonit?
Jo, në mënyrë kategorike. Të mbash një monodramë është shumë e lodhshme. Ndjej se kjo vepër më ka konsumuar shumë shpirtërisht, emocionalisht, por edhe fizikisht. Më është dashur që të lë pas dore shumë gjëra. Kam lënë pas dore vajzën, bashkëshortin, por edhe punën si drejtore e teatrit "Andon Zako Çajupi". Tani është fundviti dhe ngarkesa është edhe më e madhe. Kjo pjesë më ka kushtuar trefishin e impenjimit për një tjetër rol. Nëse një dramë roli yt është i mbështetur nga partnerët, këtu je vetëm. E gjithë vëmendja e publikut është drejtuar tek ty, dhe ti duhet të kujdesesh që t'i mbash ata vazhdimisht në ankth, t'i emocionosh, t'i ngjallësh kureshtjen për atë që do të vijë më pas, t'i bësh të ndjekin çdo veprim tëndin dhe aq më tepër atë çka ke për të thënë.
Më lehtë ta bësh publikun të qajë, apo të qeshë?
Sigurisht të qeshë. Edhe pse ta bësh publikun të qeshë, nuk është e lehtë, mua më ndodh ta arrij. Nuk e di, e kam më të lehtë të bëj humor, ndoshta sepse edhe në jetën e përditshme jam hokatare.
Thatë se edhe të bësh të qeshësh është e vështirë, aq më tepër kur rrezikon të biesh në banalitet...
Jo çdo spektakël humori mund të përkufizohet si banal. Kjo është një çështje që diskutohet kudo, jo vetëm tek ne. Nëse i ashtuquajturi "banalitet" përdoret në funksion të mesazhit, atëherë është i pranueshëm, por nëse bëhet humor, thjesht për banalitet, atëherë kjo është e shëmtuar.
Ç'ju pret me t'u kthyer në Korçë?
Menjëherë do rinis punën për premierën e fundvitit, e cila do shfaqet në skenën e teatrit të Korçës në datat 26 dhe 28 dhjetor. Do të ketë humor, këngë, surpriza, dhurata. Më tej, do filloj punën për një komedi me regji të Gëzim Kames, në krah të aktorit Roland Trebicka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›