Berisha takon biznesin vlonjat: Shqipëria e taksave të ulëta do sjellë rritjen më të madhe ekonomike dhe investime rekord

Në vijim të turit në Bregun e Jugut, shefi i ekzekutivit, Sali Berisha ka takuar një grup biznemenësh të Vlorës, të cilët i njohu me ecurinë ekonomike të vendit, politikat e ndjekura nga qeveria në fushën fiskale dhe mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë në drejtim të zhvillimit të biznesit dhe drejt krijimit të një klime akoma më atraktive. Kryeministri foli për rritje të konsiderueshme ekonomike, duke theksuar se investimet në infrastrukturë vazhdojnë të mbeten prioritetet e Qeverisë
Kryeministri Berisha zhvilloi dje në Llogora, një takim me biznesmenë të Vlorës, organizuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Dhoma e Tregtisë Vlorë, me të cilët bashkëbisedoi lidhur me ecurinë ekonomike të vendit, politikat fiskale e ekonomike, reformat e ndërmarra në mbështetje të tyre dhe krijimin e një klime të favorshme për biznesin, si dhe zhvillimin e potencialeve të mëdha të vendit. Berisha falënderoi biznesmenët e Vlorës për kontributin që ata me punë e tyre japin jo vetëm për zhvillimin e Vlorës, por të vendit në tërësi. “Falë punës suaj dhe politikave të drejta ekonomike, Shqipëria ia doli, tha Kryeministri, që të shënoje ritme të mëdha zhvillimi në kohën më të vështirë për ekonominë europiane dhe botërore, e mbështetur kjo edhe nga studimet dhe raportet e analistëve ndërkombëtarë për ekonominë”- tha kreu i qeverisë. Duke cituar raportin e Drejtorisë së Përgjithshme për Ekonominë dhe Financat të Komisionit Europian se rritja ekonomike e Shqipërisë është rritje e bazuar në investimet, Kryeministri theksoi se nëpërmjet investimeve të mëdha, qeveria është përpjekur të lehtësojë klimën dhe kushtet e biznesit. Vetëm në qarkun e Vlorës, nga viti 2006 e deri më sot, janë në përfundim 670 milion euro investime. Kryeministri garantoi se qeveria do të kompletojë me përparësi infrastrukturën rrugore të vendit dhe gjatë tre viteve të ardhshme do të jenë hapur të gjitha arteriet e mëdha rrugore të vendit. Kryeministri u ndal në disa nga reformat më të fundit të ndërmarra në mbështetje dhe lehtësim të biznesit dhe investimeve si transformimi rrënjësor i Albinvest në një Agjenci të Investimeve që funksionin thuajse me parimin “one stop shop” dhe reforma e inspektorateve që do konkretizohet së shpejti me reduktimin nga 36 në 11 të numrit të tyre dhe vendosjen e e-inspektimit. Duke garantuar mbështetjen e plotë të qeverisë ndaj biznesit, Kryeministri siguroi se qeveria do të vazhdojë t’i përmbahet dhe do ta konsolidojë politikën e saj të taksave të ulëta, si mënyra më e mirë për mbështetjen dhe zhvillimin e biznesit, zgjerimit të tij dhe rritjes së punësimit. “Në kohën kur është vendosur ulja e taksave, - u shpreh Kryeministri - nuk kam menduar kurrë se do të arrihet të dyfishohen të ardhurat”. “Faktikisht, sivjet nga doganat dhe tatimet kemi 4 përqind më shumë se dyfishi i të ardhurave të vitit 2004- tha kreu i qeverisë. Më pas, përfaqësues të disa kompanive dhe firmave të biznesit i paraqitën Kryeministrit disa nga projektet më të mëdha të zhvillimit për këtë zonë në fushën e turizmit, industriale, të agrobiznesit dhe akuakulturës si projekti për ndërtimin e parkut industrial, nismë e një grupi biznesmenësh të Vlorës; ndërtimi i hidrocentralit të SASAJ-t në Lukovë, me fuqi të instaluar prej 8.6. megavat, për të cilën përfaqësuesi i kompanisë informoi se është në fazën përfundimtare; projekti për ndërtimin e një rezorti turistik në Llogora në një sipërfaqe prej 270 hektarë; ndërsa përfaqësuesit e firmës ORATA në akuakulturë e informuan Kryeministrin se pasi kishin arritur të zëvendësonin importet e disa varieteteve të peshkut në tregun vendas, synonin të eksportonin në tregun europian. "Vlora, - tha Kryeministri - me punën dhe investimet tuaja, me politikat e drejta, koncesionet e mëdha për portin dhe në fushën e energjisë, potencialin e jashtëzakonshëm turistik do të shndërrohet në një nga epiqendrat e fuqishme të vendit dhe të rajonit, në zhvillimin e saj tërësor, turistik, industrial e të gjithanshëm".
...