Ministria e Brendshme, Konja: PS mashtron publikun për situatën në akset rrugore - megjithë fluksin e lartë, aksidentet janë ulur ndjeshëm

Kryesocialisti Edi Rama, përveç se para dy muajsh ishte në krye të një aksioni të bllokimit të akseve kombëtare, aktualisht përmes bojkotit institucional, po mban peng edhe ndryshimet në Kodin Rrugor
Ministria e Brendshme reagoi sot ndaj deklaratave të deputetes socialiste Olta Xhaçka, e cila gjatë një konference për shtyp shpërfilli punën e forcave të rendit në normalizmin e qarkullimit rrugor dhe minimizimin e aksidenteve, pavarësisht fluksit të jashtëzakonshëm gjatë sezonit turistik. Zëdhënësi Fatmir Konja, shprehu shqetësimin e Ministrisë së Brendshme për këmbënguljen tragjike të Partisë Socialiste për të nxirë realitetin dhe penguar përmirësimin e tij. “Partia Socialiste dezinformoi sot opinionin publik për situatën e qarkullimit rrugor, aksidentet dhe masat e marra për këtë çështje nga Policia e Shtetit. Në territorin e Shqipërisë, korrikun e këtij viti kanë qarkulluar 130 mijë automjete më shumë se korrikun e vitit të kaluar. Megjithë fluksin e shtuar, evidentohet një rënie e ndjeshme e numrit të aksidenteve. Kjo rënie ka ardhur si rezultat i masave të marra nga Policia e Shtetit nëpërmjet riorganizimit dhe modernizimit të strukturës së Policisë Rrugore”- u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja. Ai vuri në dukje gjithashtu, se Edi Rama dhe forca e tij politike, duke mos marrë pjesë në Kuvend, ka bllokuar ndryshimet në Kodin Rrugor, të cilat parashikohen se mund të jenë më të efektshme në kuadër të rregullimit të lëvizjes së automjeteve dhe shmangien e aksidenteve, gjatë fluksit të sezonit të verës. “Ndërkohë, lidershipi i Partisë Socialiste ka qenë pjesë e problemit nëpërmjet bllokimit të akseve rrugore kombëtare dhe kaosit të shkaktuar në Tiranë në prag të sezonit turistik, dhe mbetet pjesë e problemit nëpërmjet bllokimit në Parlament të ndryshimeve në Kodin Rrugor”- tha Konja. Ministria e Brendshme, duke shprehur keqardhjen për gënjeshtrën e radhës të së dielës, i bën thirrje Partisë Socialiste të heqë dorë nga sulmet ndaj punës profesionale dhe me përkushtim të Policisë së Shtetit dhe nga bllokimi i ndryshimeve në Kodin Rrugor.
...