LSI akuza Ramës: I çoroditur nga vapa e gushtit, me shpifje dhe fyerje tenton të dëmtojë turizmin

Akuzat e përditësuara të eksponentëve të Partisë Socialiste, të cilët urdhërohen me sms nga turisti Edi Rama, ka sjellë reagimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila e ka konsideruar politikën e opozitës si të inspiruar nga kriza e rëndë e lidershipit socialist. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Ardit çela, u shpreh sot se kryesocialisti vazhdon të akuzojë në mënyrë të pabazë, në një kohë kur Shqipëria po vizitohet nga miliona turistë, çka konfirmon interesin e pushuesve të huaj për vendin tonë, dhe qytetarët po kalojnë të qetë pushimet në bregdetin e mrekullueshëm shqiptar. Sipas tij, Edi Rama kalon me shpifje dhe trillime krizën e tij personale dhe mungesën e alternativa politike. “Më lejoni të shpreh edhe njëherë keqardhjen për çorientimin total dhe për krizën e rëndë në të cilën ka përfunduar lidershipi i Partisë Socialiste. Keqpërdorja që kreu i PS-së, po u bën zërave të tij të komanduar, grafikisht, në mes të vapës së gushtit, për të hedhur baltë e për të shpifur, është jo vetëm tregues i qartë i kësaj krize, është jo vetëm dëshmi e mungesës së alternativës së lidershipit të kësaj partie, por është në të njëjtën kohë edhe mungesë skandaloze e respektit për qytetarët e këtij vendi, si dhe për të gjithë ata që kanë vendosur të pushojnë në Shqipëri, të cilët nga mëngjesi deri në darkë, janë të detyruar të durojnë edhe ndotjen që prodhojnë shpifje të tilla të organizuara”- tha çela. Ai vuri në dukje se me deklaratat dhe veprimet e tyre, si dhe me klimën artificiale e të paqënë që duan të krijojnë drejtuesit e Partisë Socialiste, po përpiqen, ashtu sikurse kanë gjithë këtë kohë që e bëjnë, të godasin ekonominë, e sidomos një nga zërat më të rëndësishëm të saj, sikurse është edhe turizmi. “Duke shpresuar në një reflektim sa më të shpejt të lidershipit të Partisë Socialiste, përfitojmë nga rasti për t’i përsëritur edhe njëherë ftesën për të hequr dorë nga politika të tilla, për të lënë inatet që nuk të çojnë asgjekundi nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, për të luajtur një rol konstruktiv, për të bërë një opozitë me alternativa dhe jo me shpifje e fyrje, në dobi të mirëqënies së të gjithë shqiptarëve”- deklaroi më tej, zyrtari i LSI-së, Ardit çela.
...