E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sead Haxhibuliç firmos për Besën

Sulmuesi Sead Haxhibuliç do të luajë pjesën e dytë të sezonit me Besën. Boshnjaku 26-vjeçar i Apolonisë (5 gola këtë sezon) vlerësohet si një përforcim cilësor i formacionit të Shpëtim Duro. Te Apolonia do të shkojë në këmbim mbrojtësi kosovar Liridon Leci dhe mesfushori Blerim Hasalla. Verdhezinjtë duke pasur në sulm vetëm Daniel Xhafën (5 gola në 17 javët e para) nuk kanë qenë efikas në shënimin e golave: 15 gola, sulmi i tretë më i dobët i kampionatit. Besa do të jetë skuadra e dytë në Shqipëri në karrierën e Sead Haxhibuliçit. Ndeshja e parë e Besës (vendi i dytë, 30 pikë) për vitin 2010 është ajo kundër Flamurtarit (vendi i 11-të, 15 pikë). Në fazën e parë Besa fitoi 1-0. Gramozi firmosi me dy sulmuesit korçarë, Marius Ngjela (ish-Flamurtari) dhe Erlis Frashërin (Skënderbeu). Gramozi u rendit i fundit në përfundim të pjesës së parë të sezonit: 15 pikë, pas 17 ndeshjesh (3F, 6B, 8H), po aq sa Flamurtari dhe Skënderbeu.
Klubi kolonjar i financuar nga “Taçi Oil” ka bërë të ditur se do të rekrutojë edhe shtatë futbollistë të tjerë gjatë merkatos dimërore për t’i mundësuar trajnerit Agim Canaj një grup cilësor futbollistësh. Në javën e 18-të (23 janar 2010) Gramozi do të presë në shtëpi Apoloninë (vendi i katërt, 25 pikë, ndaj së cilës humbi në fazën e parë 3-0.

Bakaj
Elis Bakaj, golashënuesi më i mirë i Dinamos dhe Superligës në 17 javët e para, mund të transferohet në Slloveni te NK Celje. Shuma që klubi slloven (aktualisht vendi i 6-të) është 500 mijë euro, 5-herë më shumë sa Dinamo pagoi për ta blerë futbollistin më të mirë të vitit 2009 nga Partizani.

Maho
Sulmuesi Rezart Maho (2 gola këtë sezon) ndërpreu marrëdhëniet me Laçin, duke qenë kështu lojtari i dytë pas shkodranit Alsid Tafili që largohet nga formacioni i Stavri Nicës. Laçi, 21 pikë në 17 javë, pretendon të afrojë katër-pesë futbollistë të rinj në merkaton dimërore.

Kievo blindon Erion Bogdanin

Kievo blindon Bogdanin. Drejtori sportiv i klubit italian të Serisë A, Xhovani Sartori, hodhi poshtë zërat e merkatos që e shihnin të larguar sulmuesin shqiptar. Sulmuesi 32-vjeçar ishte i lidhur me emrat e shumë klubeve italiane, midis të cilave Bari dhe Katania (si dhe disa klube të huaja). Drejtori Sartori: “Bogdani është një sulmues me vlera dhe ne e vlerësojmë shumë. Sot, - pranoi drejtuesi verdheblu për mikrofonat e tasportpress.it, - lexova dhe dëgjova për një lamtumirë të shqiptarit nga Kievo, një hipotezë false, pasi mund të konfirmoj se lojtari do të qëndrojë me ne dhe nuk do të shkojë as te Katania dhe as te shoqëri të tjera të Serisë A”. Sipas eurosport.com, trajneri Sinisa Mihajloviç e ka marrë shumë seriozisht përforcimin e skuadrës me sulmuesin shqiptar të Kievos. Te Katania mund të shkojnë gjatë merkatos dimërore edhe dy lojtarët e Lacios, Foxha dhe Diakite. Pak ditë më parë, Bogdani (2 gola këtë sezon) ishte dhe në listën e dëshirave të Padovas, skuadër e Serisë B në Itali.

Lala, një idhull i tifozëve

Altin Lala, sipas faqes gjermane në internet News.de, është një nga yjet e vërtetë të Bundesligës. Redaktori i kësaj faqeje, Ullrich Kroemer nw shkrimin e tij “Yjet e vërtetë të Bundesligës” ka bërë një skanim gjithë lojtarëve të cilët janë ndër më të preferuarit e tifozëve dhe te Hanover 96 rezulton edhe emri i Altin lalës. “Fansat e 96-s me vetëvrasjen e Robert Enkes humbën një lojtar, i cili edhe pas vdekjes së tij qëndron një idhull i nidersaksonëve. Po kaq i dashuruar, siç qe edhe Enke, është edhe mesfushori Altin Lala, i cili luan te Hanoveri qysh nga viti 1998 dhe e ndihmoi klubin të ngjitej ne Bundesliga 1”, -shkruhet në artikullin e News.de. Mesfushori shqiptar i Hanover 96, Altin Lala, po synon minutat e para në fazën e dytë të Bundesligës 1. Sipas faqes gjermane në internet, ndr.de, Lala (ende me probleme shpine) po stërvitet individualisht.

Cana, “diga” e Sandërlendit

Sandërlendi i Lorik Canës i pati të gjitha mundësitë për marrë tri pikë të çmuara në transfertën kundër Bllekbërnit (2-2), por El-Hadji Diouf me golin e tij të minutës së 77-të, anuloi avantazhin e krijuar nga Darren Bent (52’ dhe 65’). Pedersen (53’) shënoi golin tjetër për Bllekbërnin. Kapiteni Lorik Cana ishte gjatë gjithë 90 minutave një digë e fortë në mesfushë, por pa u ndëshkuar me karton. Sandërlendi pas 20 javësh renditet në vendin e 10-të me 23 pikë. Uest Hemi i Valon Behramit humbi 2-0 në transfertë me Totenhemin. Në ndeshjet e tjera, Çelsi fitoi 2-1 me Fulhamin, Evertoni 2-0 me Bërnlin. Stok Siti humbi 1-0 me Birmingamin.

Bekham “pushton” Milanin

David Bekham nuk dëshiron të humbasë aspak kohë. Katër orë pas rikthimit të tij në Itali, anglezi ishte në dispozicion të Milanit për të kryer seancën e parë stërvitore në “jetën e tij të dytë” me fanellën kuqezi. Mesfushori anglez u prit me duartrokitje nga pjesa tjetër e skuadrës. Bekham nuk ishte i shoqëruar nga familja, por për Krishtlindje, gruaja e tij, Viktoria, i kishte dhuruar një qen bulldog në vlerën e 2000 sterlinave. Ky është qeni i tretë i familjes. Bekham do të qëndrojë te Milani deri në fund të sezonit dhe objektivi i tij është të bindë trajnerin e Anglisë, Fabio Kapelo, për një vend në përfaqësuesen që do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror 2010.

29 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›