Topi dekreton ndryshimet në qeveri, të enjten në Kuvend
Pa kaluar ende 48 orë nga propozimet e Kryeministrit Sali Berisha, Presidenti Bamir Topi ka dekretuar dje ndryshimet më të fundit në kabinetin qeveritar. Zyra e shtypit e kreut të shtetit publikoi në faqen e internetit dekretet ku Flamur Noka do të marrë postin e ministrit të Brendshëm, të cilin deri dy javë më parë e mbante Bujar Nishani. Sekretari Organizativ i PD-së, njëherësh kryesuesi i listës së deputetëve të qarkut të Kukësit, do ta drejtojë këtë dikaster të paktën deri vitin e ardhshëm, kur do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Ndryshimet më të mëdha janë në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Presidenti Topi dekretoi fillimisht shkarkimin nga detyra të Edmond Haxhinastos si ministër të Jashtëm dhe më pas emërimin e tij si ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Vizita e djeshme e kreut të Diplomacisë shqiptare në Bruksel, ku mori pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, duket se do të jetë e fundit përpara se të votohen ndryshimet në Parlament. Presidenti ka dekretuar gjithashtu shkarkimin e Petrit Vasilit, i cili mbajti për tre vjet postin e ministrit të Shëndetësisë dhe tani do të merret me procesin zgjedhor në LSI. Në vend të tij do të shkojë Vangjel Tavo, ish-deputet i PS-së, i cili deri tani mbante postin e nënkryetarit të Parlamentit. Në këtë pozicion do të rikthehet Nasip Naço. Ndryshimi i fundit është ai i Edmond Panaritit, i cili lë postin e nënkryetarit të Bashkisë dhe shkon ministër i Jashtëm. Këto ndryshime pritet të miratohen në seancën e së enjtes në Parlament.