Nuk mund ta duash Partinë Socialiste, duke e parë nga prehri i Saliut
Kjo mesa duket kjo qenka stina e personazheve të Antenës. Pas Flamurit që u bë ministër, dhe pasi pa sesi Artan Hoxha që ishte një personazh ku e ku më periferik tek Antena për pak desh u bë president, lexova dhe ish-ambasadorin Nesho të na qajë hallet e Partisë tonë Socialiste.
Nuk dua të komentoj fare shkrimin e zotit Nesho, por dua të them disa fjalë për fenomenin në tërësi. Janë disa që rreken të na thonë se e kanë shumë për zemër Partinë Socialiste, por që në fakt kanë disa vjet, që me përkushtimin më të madh po i shërbejnë Saliut dhe Ilirit. Mundohen të na thonë se e duan Partinë Socialiste, por për momentin janë duke punuar për pushtetmbajtësit, se gjoja duan të shpëtojnë socialistët nga Kryetari i saj. Nxijnë sa herë u jepet mundësia Partinë Socialiste, Kryetarin dhe deputetët e saj, por në asnjë rast nuk thonë qoftë edhe një fjalë të vetme për Saliun dhe Ilirin.
Gjërat që thonë janë thënë e stërthënë nga i gjithë tabori i mediave dhe analistëve të payroll-it të Saliut. Do të ishte më e ndershme dhe do ti bënte më të besueshëm sikur të dilnin hapur e të thoshin: Po more zotëri! Unë nuk e dua Edi Ramën në krye të PS sepse me atë në krye e kam të pamundur të realizoj ambiciet e mia politike. Po, unë dua të bëj kritizerin dashamirës të Partisë Socialiste sepse e di që kjo është mënyra më e mirë për të fituar kredi tek Saliu!
Mjaft më me këto hipokrizi. Nuk mund ta duash Partinë Socialiste, duke e parë nga prehri i Saliut. Partinë Socialiste mund ta duash vetëm nëse sot bashkohesh me nevojën për të larguar qeverisjen e diskredituar të Saliut. Kaq.
