E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takon njeriun e afërt të Obamës



Kryeministri Sali Berisha takon një nga njerëzit më të afërt të Presidentit amerikan, Barak Obama, këshilltaren Peni Pricker dhe ish-presidentin e SHBA-së, Bill Klinton. Këtë të fundit e ftoi dje për një vizitë në Shqipëri me premtimin se do të pritet si hero kombëtar nga të gjithë shqiptarët. Gjatë qëndrimit në Davos të Zvicrës, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, Berisha pati takime të veçanta me ish-shefen e financave të fushatës së Presidentit të ri të SHBA-së, aktualisht drejtore ekzekutive e grupit Pritsker Realty Group L.L.C., një nga kompanitë më të mëdha të hotelerisë dhe turizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Berisha shprehu vullnetin e padiskutueshëm të qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me SHBA-të dhe me administratën e re Obama. Nga ana e saj, znj.Pricker siguroi Kryeministrin Berisha se administrata e re është e gatshme të bashkëpunojë me Shqipërinë në të gjitha projektet e reformat në vend. Z. Berisha konfirmoi se me znj. Peni Pricker diskutoi gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri, mbi dëshirën e madhe të qeverisë shqiptare për të çuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera që ka me Shtetet e Bashkuara. Berisha e njohu atë me reformat e mëdha që ka ndërmarrë qeveria e tij, me kontributin e projekteve të Millenium Challenge Account Coorporation dhe USAID-it në luftën kundër korrupsionit. Znj. Pricker vlerësoi pozitivisht ecurinë e reformave dhe zhvillimin e Shqipërisë në vitet e fundit. Në takim u diskutua dhe për potencialet e mëdha të zhvillimit që ka Shqipëria në fusha të ndryshme, veçanërisht në fushën e turizmit, për të cilat znj. Pricker shfaqi shumë interes, duke qenë dhe drejtuese e një kompanie lider në SHBA në fushën e hotelerisë dhe turizmit. Znj. Pricker iu përgjigj me kënaqësi ftesës së Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë dhe për të parë nga afër këto potenciale.

Klinton në Shqipëri, në kohën më të afërt

Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, pas pritjes madhështore që i bëri ish-presidentit Xhorxh W. Bush, më 10 qershor të 2007-ës, duket se ka radhën për të pritur tashmë në Tiranë ish-presidentin Bill Klinton. Berisha e ftoi atë për një vizitë në Shqipëri, e cila u prit me kënaqësi nga ish-presidenti Klinton. Madje, duke iu referuar kontributit që ai dha për pavarësinë e Kosovës, Kryeministri Berisha nuk ngurroi t’i shprehte z. Klinton faktin se do të pritet si një hero kombëtar nga mbarë shqiptarët. “Takova ish-presidentin Klinton dhe pata kënaqësinë e madhe, pasi në takimin e parë më kishte premtuar se do të zhvillonte një vizitë në Shqipëri dhe më riafirmoi gatishmërinë dhe vendosmërinë e tij për të vizituar Shqipërinë në kohën sa më të shpejtë të mundshme për të. E sigurova se do pritet si një hero kombëtar nga të gjithë shqiptarët, për atë që ai ka bërë për lirinë e tyre”, - tha z. Berisha. Kryeministri foli dhe për sesionin e djeshëm në forumin e Davosit, ku ishte i pranishëm dhe z. Klinton, teksa përmendi faktin që programi i Presidentit amerikan, Barak Obama, duhet të mbështetet edhe nga vendet e tjera të botës në rastin e krizës globale. Kjo, sipas Berishës, duke blerë bonot e thesarit në interesin e tyre më të mirë, që Amerika të rrisë kapacitetet e saj importuese. “Po studiohen të gjitha aspektet e krizës. Seanca e Presidentit Klinton ishte një seancë shumë e rëndësishme, pasi ai garantoi audiencën dhe botën se Presidenti Obama do të çojë përpara procesin e zgjidhjes së krizës financiare në Shtetet e Bashkuara dhe u shpreh me nota të qarta optimiste. Sigurisht, në këtë diskutim, si në çdo diskutim tjetër, së pari kërkohen rrugët më të mira për të dalë nga kriza, së dyti, masat që duhen marrë që kriza të parandalohet”, - bëri të ditur Kryeministri Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›