E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Diuf: FAO, projekte pilot në Shqipëri



FAO do të financojë disa projekte pilot për të ndihmuar konkretisht zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri, si dhe do të vendoset lidhja me Qendrën e Investimeve të FAO-s, e cila do të financojë një studim fizibiliteti të mbarë territorit të Shqipërisë për të evidentuar burimet e vendit dhe hapësirat e duhura për zbatimin e projekteve. Ndihma e FAO-s për Shqipërinë do të jetë konkrete dhe do të nisë me dërgimin e një misioni në Shqipëri për të diskutuar me të gjitha departamentet dhe ekspertët përkatës fushat e bashkëpunimit dypalësh. Kryeministri Berisha, i cili po merr pjesë në punimet e Forumit Ekonomik të Davosit, zhvilloi dje një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Agrikulturën, z. Zhak Diuf. Z. Berisha e njohu Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Agrikulturën, z. Zhak Diuf, me reformat që po ndërmerr qeveria shqiptare në të gjitha fushat, veçanërisht me reformat ekonomike, krijimin e klimës së favorshme për biznesin, ndjekjen e politikës së uljeve të taksave, investimet e mëdha në infrastrukturë etj. Kryeministri tha se infrastruktura rrugore po ndërtohet në mbarë Shqipërinë dhe për këtë 32 për qind e buxhetit shkon për investime në rrugët e vendit, pasi zhvillimi i infrastrukturës ndihmon bizneset dhe fermerët e vendit dhe rrjedhimisht, zhvillimin e bujqësisë. Gjithashtu, qeveria shqiptare po investon shumë në ndërtimin e rrjeteve moderne të ujitjes, si një sektor parësor për bujqësinë, ndërkohë që po ndiqen politika të përdorimit të ekonomizuar të sasive ujore. Kryeministri Berisha theksoi se një nga projektet më të mëdha në mbarë vendin, i ndërmarrë së fundi nga qeveria, është mbjellja e bimëve të ullirit. “Shqipëria, - tha Kryeministri, - është një vend me 400 km bregdet, një pjesë e madhe e të cilave mund të shfrytëzohet për kultivimin e bimës ullinjve”. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha tha se do të ishte shumë e vyer ndihma dhe përvoja e Organizatës Kombeve të Bashkuara për Ushqimin. Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që ajo të kthehet në një vend prodhues në rajon për vajin e ullirit dhe derivatet e tij. Gjithashtu, Kryeministri bëri të ditur se në bashkëpunim me Bankën Botërore ka nisur projekti për ndërtimin e rrugëve rurale të vendit, të cilat do të ndihmojnë shumë në lidhjen e fermerëve me tregun dhe tërheqjen e prodhimeve të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›