Dosjet, Patozi: Kushtetuesja, me konflikt interesi
Në ditën e hyrjes në fuqi të ligjit të dosjeve, Kuvendi u përfshi sërish dje nga debatet për lustracionin. Pozita bëri të qartë se i mirëkupton ndërkombëtarët, por do të zbatojë ligjin, ndërkohë që opozita këmbënguli në shfuqizimin e këtij ligji. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, bëri thirrje për anulimin e ligjit, pasi sipas tij, ai është kontestuar edhe nga institucionet ndërkombëtare. “Edhe OSBE-ja e quajti ligjin një problem serioz për drejtësinë dhe përsëri të papranueshëm. Por, përsëri Kryeministri ynë në hall të madh e familjar nisi sulmin mbi prokurorët që hetojnë qeverinë e tij familjare të përfshirë në një sërë abuzimesh me 8 shifra, jo me dy sa ç'është rritja ekonomike, madje pohoi se kjo e gjitha qe sipas standardeve të Këshillit të Evropës. Atëherë vetë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terri Devis, deklaroi se ligji shkel të gjitha standardet e Këshillit të Evropës është i papranueshëm dhe cenon rëndë institucionet dhe liritë e të drejtat e njeriut në Shqipëri”, - deklaroi Braçe. Deklarata e tij u kundërshtua nga deputetët e djathtë. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Patozi, deputeti Aldo Bumçi edhe shumë të tjerë mbajtën një qëndrim, duke deklaruar njëzëri se ligji është brenda standardeve. Ata akuzuan opozitën se po mban një qëndrim jokorrekt. “Shqipërinë me Evropën nuk e ndan procesi i lustracionit, i cili është një proces shumë normal dhe që është zhvilluar me shumë sukses në të gjitha vendet e ish- Lindjes komuniste, por Shqipërinë me Evropën e ndan sidomos mosdistancimi për krimet kundër njerëzimi”, - tha Patozi. Ai deklaroi më tej se nuk do të pranonte një vendim nga Gjykata Kushtetuese për këtë ligj, pasi sipas tij, ka konflikt interesi. Deputeti Bumçi akuzoi kryetarin e PS-së, Rama, për qëndrim fasade. “E majta e sotme e Edi Ramës nuk i afrohet as të majtës së '97-ës, që ishte shumë më e revanshiste. Në atë kohë ajo megjithëse e deformoi dhe degradoi ligjin e lustracionit të miratuar në vitin ‘95, të paktën sa për sy e faqe e la atë në fuqi. Por sot, Edi Rama nuk e arrin dot as këtë standard. Ai është njeriu-fasadë që mbështjell në një ambalazh të ri një mesash të vjetër dhe antinjerëzor”, - deklaroi Bumçi.