E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Erdogan: Linja e gazsjellësit kalon në Shqipëri



Kryeministri turk, Erdogan, premton se qeveria e tij do të bëjë të pamundurën që linja e gazsjellësit të kalojë nëpër Shqipëri. Këtë siguri i dha dje z. Erdogan Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, gjatë takimit që zhvilluan dje në Davos të Zvicrës. Sipas Erdoganit, qeveria turke është e gatshme të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme për projektet që kalojnë nga Shqipëria për në Itali, pasi është e kuptueshme që Shqipëria nuk mund të jetë destinacioni final i tregut të gazit. Kryeministri Berisha, gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror, me z. Rexhep Taip Erdogan, vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe rikonfirmuan gatishmërinë dhe angazhimin e tyre për të konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat, duke iu përgjigjur nivelit të lartë të miqësisë tradicionale mes dy popujve. Kryeministri Berisha e njohu Kryeministrin Erdogan me ecurinë e reformave të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke u ndalur në veçanti në krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe mbështetjen e tij përmes lehtësimit të procedurave, politikës së taksave të ulëta, projekteve të rëndësishme infrastrukturore, që ndihmojnë zhvillimin e sipërmarrjeve të tyre në Shqipëri etj. Kryeministri Berisha falënderoi z. Erdogan për inkurajimin që ai dhe qeveria e tij u kanë bërë investitorëve turq për të ardhur në Shqipëri, duke evidentuar faktin se investitorët turq janë të njohur tashmë për suksesin e tyre në tregun shqiptar. Dy kryeministrat ndanë të njëjtin mendim se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve po ecin me shpejtësi. Gjithashtu, të dy personalitetet diskutuan edhe për çështje që kanë të bëjnë me proceset integruese të Shqipërisë, ku Kryeministri Erdogan ritheksoi edhe një herë mbështetjen e plotë të Turqisë për integrimin e plotë të Shqipërisë në NATO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›