E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE voton ndryshimet e delegacionit shqiptar



Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi dje ndryshimet e delegacionit të ri shqiptar. Nga 74 deputetë që ishin të pranishëm në momentin e paraqitjes së draft-rezolutës, 70 prej tyre e votuar atë, ndërsa vetëm 4 deputetë abstenuan. Draft-rezoluta njihte kredencialet e delegacionit të ri shqiptar dhe me votimin që u bë nga Asambleja Parlamentare, ato ratifikohen. Tashmë zyrtarisht në krye të delegacionit shqiptar do të jetë Ilir Rusmali. Draft-rezoluta që u miratua në Asamble, parashikon që, që javën e dytë, në Tiranë të mbërrijnë dy deputetë nga KE-ja të Komitetit të Monitorimit për të parë çështjen nga afër. Ata do të qëndrojnë disa ditë në Tiranë dhe do të hartojnë një raport. Pavarësisht përfundimeve të tyre, delegacioni shqiptar nuk do të mund të ndërrohet më për shkak se ai u legjitimua në Asamblenë Parlamentare. “Në hapjen e Asamblesë në sesionin 2009, kredencialet ende të paratifikuara të delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare u kontestuan për arsye procedurale, duke qenë se kishte arsye të besohej se një anëtar i këtij delegacioni për sesionin e 2008-ës u shkarkua nga delegacioni për sesionin e 2009-ës, duke thyer nenet relevante të rregullores së procedurave. Pas ekzaminimeve të objeksioneve të ndryshme të bëra, APKE-ja doli në përfundim se nuk ka tregues se parimet e garantuara nga Rregullat e Procedurave të Asamblesë nuk janë respektuar në emërimin e anëtarëve të delegacionit parlamentar të Shqipërisë dhe më tej vendosi, në një rezolutë unanimisht të miratuar sot, të ratifikojë kredencialet e tyre”, - thuhej në njoftimin për shtyp të KE-së pas votimit të draft-rezolutës. Ky dokument iu propozua Asamblesë se zëvendësimi i anëtarëve shqiptarë është bërë sipas rregullores. “Pas ekzaminimit të kësaj çështjeje, Komiteti i Rregullores dhe Procedurave kërkoi që Asambleja të ratifikojë letrat kredenciale të delegacionit shqiptar. Diskutimi me dy anëtarët shqiptarë të Asamblesë së KE-së treguan se aplikimi është bërë sipas nenit 7 të rregullores së Kuvendit shqiptar, i cili përcakton se përcaktimi i delegacionit për në Asamblenë e KE-së mund të nxjerrë probleme, në rast se ndryshimi bëhet në mes të legjislaturës. Kjo pyetje mund të ndiqet nga Komiteti i Monitorimit në Asamblenë e Këshillit të Evropës”, - thuhet në këtë draft-rezolutë. Delegacioni shqiptar tashmë do të përbëhet nga 4 deputetë të përhershëm të cilët janë Kastriot Islami, Paskal Milo, Lajla Përnaska dhe drejtohet nga Ilir Rusmali. Delegacioni i përkohshëm përbëhet nga anëtarët Diana Çuli, Taulant Dedja, Vangjel Dule dhe Arenca Trashani. Anëtarët e delegacionit të përkohshëm zëvendësojnë çdo anëtar të delegacionit të përhershëm, në rast se kërkohet nga ndonjë deputet i delegacionit të përhershëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›