Kompensimi, kush favorizohet nga fondi 5 milionësh
Fituesit e fondit prej 5 milionë dollarësh do të jenë të kufizuar. Pritet që të mos fitojnë më shumë se 200 ish-pronarë nga 740 që kanë aplikuar. Por përfituesit që kanë më shumë mundësi për të fituar, janë përcaktuar edhe në vendimin e qeverisë. Kështu, subjektet që kanë aplikuar më herët që nga viti 1993, ata që nuk kanë përfituar ndonjëherë nga procesi si kompensim financiar, kthim fizik apo përfitim nga ligji 7501 si dhe ata që kanë më pak se 200 metra katrorë, do të jenë të parët në listë. Gjithsesi, në rast se mbush të paktën kriterin deri në 200 metra që kërkon për kompensim, atëherë mundësitë janë të mëdha. Ky numër është më i madh se në vitet e kaluara, kur në vitin 2007 u kompensuan vetëm 119 ish-pronarë. Numri pritet të rritet për shkak se përfituesit do të jenë nga të 12 qarqet. Gjithsesi, do të ketë më pak ish-pronarë të kompensuar, për shkak të rritjes së vlerës së tokës, por kjo do të varet nga vendndodhja e sipërfaqes së kërkuar për kompensim. Gjithashtu, kriteret nuk kanë ndryshuar për përfitimin e fondit dhe duket se subjektet që kanë truall për kompensim në Tiranë do të jenë më të favorizuarit se ata të rretheve të tjera. Subjektet që kanë më shumë mundësi të përfitojnë do të jenë ata që kanë përfituar njohjen e pronës në vitin 1993, por që nuk kanë marrë kompensim në një nga format e parashikuara nga ligji më parë. Fituesit e kompensimit parashikohet të jenë kryesisht nga rrethi i Tiranës dhe Durrësit. Por këta fitues do të kenë mundësi të fitojnë më shumë para si kompensim në krahasim me ish-pronarët që kanë fituar kompensim vite më parë dhe kjo për shkak të ndryshimit të vlerës së tokës, e cila ka pësuar rritje. Qeveria ka miratuar një ndryshim në hartën e tokës në Tiranë dhe Durrës, duke bërë që subjektet në këto qytete të përfitojnë më shumë se ata të viteve më parë. Në qytetin e Tiranës pothuajse kanë ndryshuar të gjitha vlerat në zonën urbane. Vendimi i qeverisë ka prekur edhe qytetin e Durrësit. Janë përcaktuar edhe vlerat e tokës në këtë rreth, si dhe për pjesën e plazhit, duke përfshirë edhe komunat që lagen nga deti, si Golemi.
Gjatë 2009-ës, kompensimi fizik për pronarët
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të bëjë të mundur që gjatë këtij viti të nisë edhe kompensimi fizik për ish-pronarët, krahas atij financiar. Një grup ekspertësh në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, janë duke diskutuar kriteret për kompensimin fizik. Aktualisht po diskutohen disa variante, por burime nga ky grup pune bëjnë të ditur se është rënë dakord për dy kriteret e para. Ish-pronarët e para, të cilët kanë aplikuar të parët për kompensim, por për shkak të sipërfaqes dhe vendndodhjes së pronës së shpronësuar nuk kanë përfituar kompensim, do të jenë të parët në listë për t’u kompensuar nga fondi fizik. Kriteri i dytë që është miratuar parimisht është që nga të parët që do të përfitojnë kompensim fizik do të jenë familjet që u është njohur sipërfaqe e madhe toke. Një kriter i tillë pritet të zbatohet edhe për pronat në bregdet, ku përfituesit e parë do të jenë ish-pronarët, të cilët janë dëmtuar më shumë, pra që kanë pasur pronë të shpronësuar më shumë se të tjerët. Aktualisht, qeveria i ka hapur rrugë procesit të kompensimit fizik me miratimin e fondit të parë. Ministria e Ekonomisë ka dërguar në qeveri të gjithë fondin e parë, i cili përbëhet nga toka bujqësore, livadhe dhe kullota, si dhe objekte shtetërore që nuk janë në përdorim.