Agjencia e Pronave, gati fituesit e 5 milionë dollarëve
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të shpallë ditën e hënë fituesit e kompensimit financiar të pronave. Një fakt të tillë e konfirmoi dje për “standard” drejtori i ri i AKKP-së, z. Elvis Cefa, teksa pohoi se përfituesit e kompensimit tashmë janë gati. “Të hënën do të shpallim fituesit. Jemi duke u marrë me detajet e fundit”, - tha Cefa. Në listën e aplikuesve prej 740 ish-pronarësh, pritet të fitojnë rreth 200 persona. Ajo që bëhet e ditur është se konkurrenca është ulur, sepse nga lista e aplikuesve ka pasur skualifikime për shkak të mangësisë së dokumentacionit. Një fakt të tillë e konfirmoi dje edhe drejtori i AKKP-së, i cili tha se vonesa në shpalljen e fituesve ka ndodhur pikërisht për këtë fakt. Ai tha se është shqyrtuar dokumentacioni për të gjetur mangësitë e tyre. Një shkak tjetër për vonesën ka qenë edhe ndryshimi i hartës së vlerës së tokës. Kjo bëri të detyruar rishikimin e dosjeve nga e para në mënyrë që të përllogaritej me vlerat e reja të tokës kompensimi për ish-pronarët aplikues. Qeveria ka ndryshuar pak javë më parë vlerën e tokës, duke e rritur atë ndjeshëm, kryesisht në zonat e qyteteve të Tiranës dhe Durrësit. Kompensimi do të bëhet për deri 200 metra katrorë të sipërfaqes së caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që do të kompensohet. Subjektet që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007 dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008. Zyra e AKKP-së në qendër, në bashkëpunim me zyrat rajonale, ka shqyrtuar dokumentacionin e subjekteve që kërkojnë kompensim. Kjo zyrë do të verifikojë dosjen dhe vendimin përkatës, të dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendimet e tjera për këtë subjekt të shpronësuar. Paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara, në zbatim të këtij vendimi, sjell përjashtimin e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit financiar dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale.