Hije dyshimi për konkursin e pedagogëve
Kandidatët në garë për të fituar postin e pedagogut në Ortopedi i kërkojnë rektoratit sqarime për përzgjedhjen e pedagogut. Ata pretendojnë se nuk janë respektuar kriteret.
TIRANE- Kandidati që është shpallur si pedagog fitues në Ortopedi, është favorizuar". Ka qenë ky reagimi i kandidatëve të tjerë që kishin dorëzuar dosjen pranë fakultetit të Mjekësisë dhe ishin në garë për këtë post, duke hedhur kështu hije dyshimi për mënyrën se si është përzgjedhur ai. Ndërkohë që ata i kanë kërkuar rektoratit që t'i sqarojë për këtë zgjedhje dhe kanë shtuar se do të nisin një ankesë zyrtare ku t'u shpjegohet pse nuk janë respektuar me rigorizitet të gjitha kriteret e shpallura.
Ortopedia
Shpallja e Artid Dunit, si personi që do të nënshkruajë një kontratë një-vjeçare me rektoratin e UT-së dhe do të punojë si pedagog i Ortopedisë, nuk u ka lënë shije të mirë mjekëve të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë garë. Ata aludojnë se Duni është favorizuar, pasi nuk plotësonte të gjitha kriteret që rektorati ka publikuar. "Një ndër kushtet ishte që për kandidatët nga 30-35 vjeçc duhet të kishte mbaruar Masterin (SHPU) dhe nga 35-40 vjeç duhet të kishe nisur doktoraturën, pra të kishe fituar konkursin e doktoraturës, ndërsa për kandidatët mbi 40 vjeç duhet ta kishin marrë titullin doktor. Në fakt, kandidati që u shpall fitues ndiqte studimet për doktoraturë, pavarësisht se ka katër muaj që i ka kaluar të dyzetat, ndërkohë që kandidatë të tjerë janë përjashtuar nga gara pikërisht se e kishin kaluar moshën me dy ose tre muaj, shto këtu edhe faktin se një pjesë e atyre që u skualifikuan kishin bërë studime afatgjata në një nga vendet perëndimore apo Amerikë - shpjegojnë ata. - Drejtuesit e universitetit kanë premtuar respektim rigoroz të kritereve të publikuara dhe ne këtë gjë kërkojmë", - përfundojnë ata. Kandidatët e Ortopedisë shprehen se pikërisht për këtë arsye do t'i nisin një kërkesë zyrtare dekanatit të Mjekësisë dhe rektoratit ku t'i vënë në dijeni për arsyet e përzgjedhjes së këtij kandidati. Ndërkohë që ata aludojnë se edhe vendosja e kriterit të notës mesatare mbi 8 vetëm për këtë profil, ndërkohë që të tjerët e kishin mbi 9-ë, ndoshta është një shenjë e manipulimit të konkursit. Kandidatët që kanë dorëzuar dosjen për të punuar si pedagog i Ortopedisë në fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, janë Dritan Todhe, Edvin Selmani, Sokrat Bërdufi, Zamir Demiraj, Ergys Çami, Artan Distefa dhe Ardit Dumi që u shpall fitues.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)