E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, probleme me dëmtimet, dëmtohen Bufon e Kamoranezi

Nga Altin Latifi
Italia ka humbur portierin Bufon dhe mesfushorin Kamoranezi për ndeshjet me Bullgarinë dhe Malin e Zi. Dy lojtarët janë larguar nga qendra e grumbullimit, duke krijuar jo pak probleme për trajnerin Marcelo Lipi. 

ITALI- Italisë do t’i duhet të bëjë pa Bufon dhe Kamoranezin për dy ndeshjet e radhës në eleminatoret e kampionatit botëror, me Bullgarinë dhe Malin e Zi. Dy lojtarët e Juventusit kanë braktisur qendrën e grumbullimit të kombëtares për shkak të dëmtimeve të pësuara në javët e fundit të kampionatit. Ata i janë nënshtruar kontrolleve mjekësore dhe për Bufon është përcaktuar se do të qëndrojë jashtë fushave për një muaj për shkak të problemeve në muskujt e kofshës së majtë. Ndërsa për Kamoranezin, koha e rekuperimit do të jetë rreth 15 deri në 20 ditë. Humbja më e madhe e Lipit lidhet me portierin, i cili konsiderohet një nga shtyllat e kampionëve të botës. Edhe në ndeshjen ndaj Qipros më 6 shtator, Bufon tregoi s mbetet vendimtar, duke u shpallur heroi i ndeshjes. Në vend të tij, tekniku i të kaltërve ka thirrur portierin e Sienës Xhanluka Kurçi. Italia do të luajë të shtunën në Sofje ndaj Bullgarisë, ndërsa më 15 tetor do të presë në fushën e saj Malin e Zi. (a.r/balkanweb)



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›