Autonomia vendore, Meta: Rama e Berisha të dialogojnë
DURRËS - Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i ka sugjeruar Berishës dhe Ramës që të dialogojnë për të zgjidhur problemin e përfaqësuesve të pushtetit vendor.
I pranishëm dje në një aktivitet mbi plotësimin e pyetësorit të Bashkimit Evropian, kreu i LSI-së deklaroi se Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, dhe Kryeministri Sali Berisha duhet të gjejnë gjuhën e dialogut për të zgjidhur problemin e autonomisë vendore. Duke iu referuar protestës që përfaqësues të bashkive të vendit zhvilluan dje para Kryeministrisë për shkeljen e autonomisë vendore dhe shkurtimit të fondeve nga pushteti qendror, Meta theksoi se decentralizimi i bashkive të vendit mund të arrihet nëpërmjet dialogut dhe jo bojkotit. Këto pretendime, sipas Metës, kryetari i Bashkisë, Edi Rama, duhet t'ia parashtrojë Kryeministrit Berisha dhe të arrijë në një kompromis për zgjidhjen e çështjes së autonomisë vendore.
"Është shumë e lehtë dhe më e thjeshtë që vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetari i Shoqatës së Bashkive, ato pretendime që ka dhe që mund të ketë, t'i diskutojë me Kryeministrin. Por, drejt decentralizimit shkohet me dialog, dhe ky dialog kërkon edhe argumentet përkatëse. Nuk është bojkoti ai që zgjidh problemet, është dialogu", - tha dje Meta. Zëvendëskryeministri foli, gjithashtu, edhe për luftën e opozitës për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të Qershorit, duke theksuar se kërkesat e saja kundër procesit të integrimit. Ministri i Jashtëm vuri në dukje se 20 mijë komisionerët e Partisë Socialiste që kanë kryer procesin e numërimit, i kanë firmosur dhe kanë konfirmuar rezultatin që doli nga ky proces. Meta shtoi se edhe nga ana morale kjo kërkesë nuk qëndron. I pyetur nëse zgjidhjes i shërbejnë akuzat e ashpra të kryeministrit ndaj liderit të opozitës, Meta është shprehur kundër cenimit të jetës private të kujtdo politikani.