Meta: Prioriteti ynë madhor, administrimi i votës së shqiptarëve
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, e cilësoi administrimin e votës në zgjedhjet e 2009 prioritetin kryesor të kësaj partie. Gjatë një konference për shtyp, Meta e cilësoi situatën politike mjaft kritike dhe rrezik për demokracinë. “Aksioni kryesor dhe madhor i Lëvizjes Socialiste për Integrim është kurorëzimi me sukses i një Kodi Zgjedhor, që garanton integritetin e procesit zgjedhor, e në radhë të parë të administrimit të votës në zgjedhjet e vitit 2009. Ky është prioriteti numër një, numër dy dhe numër tre i LSI, për arsye sepse vendi ndodhet në një situatë tepër kritike, kur tashmë jemi të njohur dhe me propozimet konkrete që janë paraqitur nga çifti Xhafa-Rusmali për ndryshimet në Kodin Zgjedhor”, tha Meta. Sipas tij, “qëllimi i të dy palëve ka qenë dhe mbetet manipulimi i zgjedhjeve përmes manipulimit të administrimit të zgjedhjeve, që do të garantohet, sipas tyre, përmes shmangies dhe eliminimit të përfaqësimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në të gjithë nivelet e komisioneve, që nga KQZ, ku ju e dini që LSI ka anëtarin e propozuar prej saj, e në të gjithë nivelet e tjera”. Duke kërkuar një mbështetje më të madhe nga faktori ndërkombëtar, Meta tha se pritet më shumë prej tyre në mbrojtje të standardeve demokratike. “Mund t’ju them se, ne kemi vite që përpiqemi të punojmë me OSBE-ODIHR-in, në mënyrë që Shqipëria të shënojë progres në zgjedhje dhe jo regres, sikurse ka ndodhur. Njëkohësisht unë dua të them se OSBE ka një rekord negativ, për sa i takon historisë së zgjedhjeve në Shqipëri. Ka bërë shumë pak për të parandaluar ato fenomene, të cilat kanë qenë tërësisht të pritshme dhe të paralajmëruara, jo vetëm nga ne, por dhe nga opinioni ndërkombëtar”, tha Meta.