E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Berishën e komplekson Fazlliç, ndaj nuk iu përgjigj pyetjeve

 

Kryetarja e grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj tha dje se Kryeministri Berisha është i kompleksuar nga çështja Fazlliç, përpara të cilit ai shkel të gjitha parimet dhe interesat. Duke iu referuar mocionit me debat të dy ditëve më parë në Kuvend, Leskaj tha se “Kryeministri është i kompleksuar nga çështja Fazlliç ndaj nuk iu përgjigj pyetjeve duke fshehur të vërtetat që tashmë janë bërë domein publik”. Duke rreshtuar një sërë pyetjesh për të cilat socialistët prisnin përgjigje në Kuvend nga Kryeministri Berisha, Leskaj tha se “kryeministri nuk u përgjigj për marrëdhëniet e Fazlliç me BG&R; për marrëdhëniet e Fazlliç me Qeverinë; për përfitimet e tij nga paratë publike të energjisë; për mos pagimin e taksave; për pastrimin e parave dhe shumë pyetje të tjera që lidhen me këtë skandal”. Kryetarja e grupit socialist tha se me fjalimin e tij “Kryeministri bëri dje një përpjekje të dëshpëruar për të spostuar vëmendjen nga skandali Fazlliç, që e bën direkt përgjegjës dhe kjo është kapje e shtetit”. “Në fakt, kjo është mënyra e tij e të qeverisurit që ngatërron shtetin me marrëdhëniet personale, ato të besës, një mënyrë tipike tribale në drejtimin e punëve të shtetit. Kryeministri nuk u përgjigj pse ka shpërfillur interesat e shtetasve të këtij vendi, për sa kohë që mes interesave të vendit dhe atyre të Fazlliçit ka zgjedhur këtë të fundit”, tha Leskaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›