LSI-PDK shtyjnë votimin për KQZ
BLEDAR HOTI
Deputetët e LSI-së dhe të PDK-së ndalojnë procesin e ndryshimit të KQZ-së, duke shpresuar për arritjen e një formule konsensusi për institucionin, që do të merret me menaxhimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Amendamentet e formimit të KQZ-së dhe të komisioneve të tjera në nivelet e dyta dhe të treta janë shtyra pas kërkesave insistuese të deputetëve të LSI-së dhe të PDK-së. Mbledhja e komisionit e nisur në ora 16:00 është shoqëruar me debate të forta mes deputetëve dhe anëtarëve të komisionit të Reformës Zgjedhore. Në mbledhjen e komisionit kanë marrë pjesë Ilir Meta, Ndre Legisi të LSI-së, Petro Koçi i PS’91, Nard Ndoka dhe Frrok Gjini të PDK-së. Ata ishin të pranishëm në mbledhjen e mbrëmshme për të mos lejuar kalimin e neneve të KQZ-së dhe të komisioneve të tjera. Sipas burimeve pranë komisionit të reformës zgjedhore mbledhja kaq qenë shumë tensionuar dhe mes anëtarëve të komisionit dhe drejtuesve të saj janë shkëmbyer replika të ashpra. Deputetët e pranishëm kërkuan marrjen në konsideratë të amendamenteve të partive të tjera në lidhje me përbërjen e KQZ-së. Pas një orë debati mësohet se është rënë në konsensus, që të shtyhet shqyrtimi i amendamenteve, që bëjnë fjalë për çështjen e KQZ-së dhe të komisioneve të tjera.
Deklarimet
Të parët nga mbledhja kanë dalë Meta dhe Ndoka dhe më pas Koçi. Kreu i LSI-së deklaroi “Monopolizimi i administrimit të zgjedhjeve nga PD-PS, që janë përgjegjëset kryesore në 18 vjet për deformimin e procesit zgjedhor, është një provokim shumë i rëndë i stabilitetit të vendit dhe i suksesit të zgjedhjeve të ardhshme”. “E theksoj edhe njëherë, nuk do të lejojmë që të miratohet dhe të aplikohet Kodi i vjedhjes në Shqipëri. Shqiptarët duhet të shkojnë të qetë dhe të sigurt se vota e tyre do të hidhet dhe do të numërohet bazuar në vullnetin e tyre dhe jo të numëruesve”, shtoi Meta. Ndërsa Braho, pas mbledhjes u shpreh: “Nuk i lejuam që të realizonim qëllimin e tyre. I parandaluam, pezulluam shqyrtimin e dispozitave më të rëndësishme, të cilat synojnë përjashtimin e LSI nga procesi i administrimit të zgjedhjeve, duke i hequr asaj mundësinë për të pasur komisionerët e propozuar prej saj në të gjitha këto komisione, që do administrojnë procesin e zgjedhjeve të ardhshme. Natyrisht beteja vazhdon”. Ditën e sotme në ora 09:00 komisioni i posaçëm do të realizojë mbledhjen finale dhe përfundimtare.
Propozimi i LSI për KQZ
Neni 12
Përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
- Komisioni Qendror Zgjedhor përbëhet nga 9 anëtarë.
Neni 14
Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së
Pika d) ndryshon si më poshtë:
“Dy anëtarë të KQZ-së zgjidhen nga kandidatët e propozuar nga partitë politike të maxhorancës qeverisëse, përjashtuar partinë më të madhe të maxhorancës, që kanë numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë”.
“Dy anëtarë të KQZ–së zgjidhen nga kandidatët e propozuar nga partitë politike të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës, që kanë numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë”.