E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Berisha të shkarkojë Vasil Bollanon”

19/12/2008  Politika me një zë

Deputetë të mazhorancës dhe opozitës kanë kërkuar dje ndjekje penale për kryebashkiakun e Himarës Vasil Bollano, duke e argumentuar këtë me shkeljet e vazhdueshme kushtetuese prej tij. Nisur nga memorandumi që Bollano i ka drejtuar Parlamentit grek, ku kërkohet kushtëzimi i ratifikimit të MSA-së në këmbim të kushteve të vëna nga “Omonia”, ligjvënësit shqiptarë shprehen se masa më minimale që duhet marrë ndaj Bollanos është shkarkimi i tij nga posti i kryetarit të Bashkisë. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së Erion Braçe ka fajësuar Kryeministrin Berisha në lidhje me mosshkarkimin e Bollanos nga posti i kryetarit të Bashkisë. Sipas Braçes, Bollano po hedh helm në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, ndërsa Berisha nuk ka vullnet për ta shkarkuar atë, pasi e ka kandidat për deputet. Kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi tha se Bollano duhet të përgjigjet penalisht dhe masa minimale që duhet të merret ndaj tij është shkarkimi. Për deputetin demokrat Bujar Leskaj kryebashkiaku Bollano është mbeturinë e qarqeve nacionaliste ekstremiste greke dhe nuk gjen terren në Shqipëri, ndaj të gjithë duhet ta demaskojnë.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Pëllumb Xhufi i konsideron veprimet e Bollanos si shkelje të parimeve bazë të një shteti. Demokristianët e drejtuar nga Nard Ndoka kanë paralajmëruar nisjen e protestave në Himarë kundër Bollanos, ndërkohë që i kanë kërkuar Kryeministrit shkarkimin e tij nga posti. Po kështu PDK-ja e Ndokës i ka kërkuar Presidentit të Republikës që të mbajë qëndrim ndaj kreut të Bashkisë së Himarës. Më i ashpër në qëndrim ka qenë deputeti Spartak Ngjela, i cili edhe më parë ka akuzuar Bollanon për shkelje ligjore dhe kushtetuese. “Bollano është i lirë të drejtojë ku do të dojë, por me shqiptarët do ta ketë pisk, pasi ka hyrë në një lojë të rrezikshme. Nëse shteti nuk merr masa ndaj një njeriu të tillë, atëherë njerëzit duhet t’i tregojnë vendin atij”, - tha Ngjela.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›