Berisha të sqarojë miqësinë me Fazliçin

Mocion me debat për kryeministrin
Grupi kuvendar i PS-së depozitoi dje kërkesën për mocion me debat për kryeministrin Sali Berisha. Valentina Leskaj, liderja e socialistëve në Kuvend, tha dje se, ashtu sikundër kishin njoftuar tri ditë më parë, do të kërkojnë përgjigje nga shefi i qeverisë lidhur me skandalin më të fundit që e implikon vetë atë dhe qeveritarë të tjerë me Damir Fazliç. “Grupi i PS-së ka depozituar sot kërkesën për mocion me debat, duke besuar se kryeministri dhe kryesia Kuvendit do ta marrin parasysh këtë kërkesë dhe nuk do të sajojnë “gabime” teknike në miratimin e kërkesës, siç ka ndodhur herë të tjera, ku rasti më i fundit ishte ai i Gërdecit. Kryeministri në seancën e kaluar pranoi publikisht në Kuvend, se e ka mik Fazliçin, por është mirë që këto lidhje “miqësore” t’i bëjë transparente”, - u shpreh Leskaj. Numri një i socialistëve në Kuvend e cilësoi çështjen Fazliçin si një “koktej” eksploziv elementësh, që dëmtojnë dhe cënojnë direkt themelet e demokracisë në vend. Për këtë arsye, socialistët do të kërkojnë sqarime lidhur me përfshirjen e Fazliçit në kompaninë “BG&R” dhe lidhjet me PD-në, që siç tha Leskaj, toksikojnë staturën e kësaj partie. “Infiltrimi i Fazliçit në afera korruptive përmes firmave të tij fantazmë dhe përfshirja e anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe të afërmve të tyre çon në kapjen e shtetit. Lidhjet e Fazliçit me njërin prej ish-drejtuesve të shërbimeve famëkeqe, përfshirja në afera të trafikimit të armëve apo pastrimit të parave dhe miqësia e tij me figurat kryesore të qeverisë, hedh hije dyshimi dhe rëndon në sigurinë tonë kombëtare”, - tha kryetarja e grupit Kuvendar të PS-së, duke përmendur çështjet ndaj të cilave duhet të përgjigjet kryeministri. Në krahun tjetër, në emër të PS-së ajo i bëri thirrje kryeministrit që të mos vazhdojë me presionin që ka përdorur shpesh, duke përmendur dosje, ku ai thotë se ka për deputetë të opozitës. “Së fundi, kryeministri kërcënoi opozitën me dosje mafioze, duke harruar që kjo e implikon më keq atë për krime që i di dhe nuk i denoncon. Ai nuk mund të mbajë peng politikën shqiptare me presion dosjesh. Kjo histori duhet të marrë fund”, - deklaroi Valentina Leskaj. Numri një i socialistëve në Kuvend i kërkoi në emër të PS-së Prokurorisë së Përgjithshme, që të nisë menjëherë hetimet për çështjen “Fazliç” e ta shpallë atë person në hetim. Socialistët, por dhe e gjithë opozita e kanë skandalin e fundit si një tjetër fakt, ndër të shumtit gjatë qeverisjes së demokratëve, që tregon korrupsionin në ekzekutiv dhe në strukturat e shtetit.
Pyetjet që përmban kërkesa për mocion ndaj kryeministrit-Cila është marrëdhënia e kryeministrit Sali Berisha dhe e Partisë Demokratike që ai drejton me kompaninë lobiste “BG&R” dhe roli i Damir Fazliçit në të?
-Cila është marrëveshja mes Partisë Demokratike të kryeministrit Sali Berisha me kompaninë “BG&R” për fushatën zgjedhore për zgjedhjet Kuvendare të vitit 2005 dhe cila është vlera financiare e kësaj marrëveshjeje?
-Përse nuk është depozituar në KQZ marrëveshja/kontrata mes Partisë Demokratike të kryeministrit Berisha dhe kompanisë “BG&R”?
-Ç’rol ka pasur pranë Partisë Demokratike gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2005 shtetasi boshnjak Damir Fazliç? A është paguar ai për këtë rol?
-Cili është roli i zotit Damir Fazliç pranë qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Sali Berisha?
-Për çfarë ka lobuar në tre vite rresht zoti Fazliç në shërbim të qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Sali Berisha? Në bazë të kujt ligji është rregulluar dhe ndërtuar kjo marrëdhënie?
-Me çfarë statusi dhe sa herë ka qenë në zyrën e kryeministrit Sali Berisha zoti Fazliç dhe cilat janë projektet që ka negociuar?
-Kush ka qenë përfituesi direkt i këtyre projekteve? Cilat kompani?
-Çfarë aktiviteti kanë kryer në Shqipëri kompanitë:
•Firma “Virtu Acquisitions”, e regjistruar më 19 shtator 2005, administrator Erion Isufi: Adresa: Rr. “Shinasi Dishnica”, pallati 2/4.
•Firma “SRF Developements”, e regjistruar më 19 shtator 2005, administrator Erion Isufi: Adresa: rr. “Shinasi Dishnica”, pallati 2/4
•Firma “Crown Acquisitions”, e regjistruar më 20 shtator të vitit 2005, administrator Erion Isufi (deri më 4 qershor 2007). Rr. “Shinasi Dishnica”, pallati 2/4.
•Firma “DF Trade Limited”
•Firma “Alpha”
•Firma “Rudnap”
-Sa tatime e taksa kanë paguar gjatë viteve 2005, 2006, 2007 dhe 2008 këto kompani? A janë në borxh këto kompani ndaj ndonjë institucioni të shtetit shqiptar, veçanërisht organeve të Tatim-Taksave?
-Sa punonjës të siguruar kanë këto kompani gjatë këtyre viteve?
-Kur janë shitur, cilat janë procedurat ligjore të shitjes të pranuara nga institucionet në varësi të qeverisë apo institucionet e pavarura të shtetit shqiptar kompanitë: “Virtu Acquisitions”, “SRF Developements” dhe “Crown Acquisitions”?
-Sa është vlera e tatimeve të paguara për të ardhurat e realizuara nga shitja e pjesshme dhe e plotë e pronësisë së tri kompanive të mësipërme në organet e Tatim-Taksave? Sa është vlera e tatimeve të paguara veçanërisht për të ardhurat e realizuara nga shitja e kompanisë “Crown Acquisitions”?
-Kush i ka kryer procedurat ligjore të shitjes së tri kompanive të mësipërme pranë agjencive publike në varësi të qeverisë së kryeministrit Berisha? Veçanërisht kush i ka kryer procedurat ligjore për shitjen e kompanisë “Crown Acquisitions”?
-Cilët janë blerësit e tri kompanive të mësipërme? Veçanërisht cilët janë blerësit e kompanisë “Croën Acquisitions”? A e njeh në mënyrë institucionale qeveria shqiptare veprimtarinë ekonomike e financiare në raport me ligjet, madje në raport edhe me ligjet penalet këtyre blerësve? Veçanërisht, a e njeh në mënyrë institucionale qeveria shqiptare aktivitetin e kompanisë “Altaria Research” me rezidencë në Qipro?
-Me cilat banka janë kryer transaksionet financiare të shitblerjes së tri kompanive të mësipërme nga shtetasi Damir Fazliç? Veçanërisht me cilat banka është kryer transaksioni me vlerë 1.750.000 euro i shitjes së kompanisë “Crown Acquisitions”? A ka qenë ai transaksion i mbështetur në ligjin “Për sistemin bankar në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në ligjin “Për parandalimin dhe pastrimin e parave të pista në Shqipëri”?
-A ka të dhëna të regjistruara Agjencia Shtetërore e Luftës për Parandalimin e Pastrimit të Parave në Shqipëri për tri kompanitë e shitura? Veçanërisht, a ka të dhëna agjencia në varësi të qeverisë për kompaninë “Crown Acquisitions”? A ka nisur hetimin kjo agjenci pas fakteve të bëra publike në median vendase për një operacion të mundshëm pastrimi parash nga kompania “Crown Acquisitions”?
-A e njeh qeveria e kryeministrit Berisha veprimtarinë në Shqipëri të kompanisë “Rudnap”? Po veprimtarinë e saj në Serbi? A i njeh Sali Berisha personalisht pronarët legalë dhe ilegalë të kompanisë “Rudnap”? Sa tenderë ka fituar në Shqipëri kompania “Rudnap” gjatë viteve 2005, 2006, 2007 dhe 2008? Në cilën fushë dhe të kujt vlerave janë këto përfitime? Cila ka qenë procedura e fitimit të këtyre tenderëve nga kompania “Rudnap”?
-A ka pasur kompania “Rudnap” apo filiale të saj marrëdhënie me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë?