Do të ndryshohet Kushtetua
Imuniteti i deputetëve pritet të zbehet së shpejti. Pas debatesh pafund, të majtë e të djathtë duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të kufizuar imunitetin e tyre, duke lehtësuar procedurat e hetimit. Demokratët janë tërhequr më së fundi nga projektligji i tyre, sipas të cilit nuk kishte nevojë për ndryshim të detyrueshëm të Kushtetutës për të kufizuar imunitetin. Por pas gati tre vitesh, demokratët kanë mbërritur në kërkesën e argumentuar nga socialistët, se imuniteti nuk mund të kufizohet pa ndryshuar Kushtetutën. Ky reflektim e mazhorancës erdhi një javë pas sinjalit të shprehur nga kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë, i cili tha se deputetët nuk do të kenë më privilegjet aktuale, pjesë e të cilave edhe “luksi” i imunitetit. Anëtarët e Këshillit të Legjislacionit i cilësuan si jorezultative nismat e ndërmarra deri më dje lidhur me çështjen e imuniteteve. Meqenëse të gjitha palët kanë shprehur vullnetin për kufizimin e imunitetit, këshilli propozoi që duhet të konkretizohet miratimi i ndryshimeve kushtetuese, në përputhje edhe me standardet evropiane. Qëndrimi do t’iu paraqitet edhe grupeve Kuvendare, duke synuar që amendamentet kushtetuese të kenë pëlqimin e të gjithë subjekteve që përfaqësohen në Kuvend. Dy anëtarët e këshillit, Ylli Bufi dhe Ilir Rusmali, do të kenë detyrën e hartimit të draft-amendamentit për kufizimin e imunitetit, i cili do t’iu jepet më pas për nënshkrim grupeve Kuvendare. Fryma e shprehur nga palët në mbledhjen e djeshme ishte optimiste, për përfundimin me sukses të këtij misioni, i cili është këshilluar edhe nga ndërkombëtarët. Prej muajsh socialistët kishin vlerësuar se e vetmja zgjidhje do të ishte ndryshimi i kushtetutës, ndërsa demokratët vazhdonin t’i mëshonin propozimit të tyre. Vetëm pak kohë më parë, demokratët janë shprehur mediatikisht se do të ishin të hapur edhe për ndryshimin e Kushtetutës, ndërsa dje ky qëndrim u shpreh zyrtarisht në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit. Reflektimi i demokratëve duket se do të jetë çelësi për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, çka do të ishte plotësimi i një prej kërkesave të ndërkombëtarëve.