Kosova: O me Shqipërinë, o me Maqedoninë

Ish-ministri i Jashtëm, Mustafaj, deklaron se, nëse Kosova ndahet, ajo nuk mund të qëndrojë e vetme
“Nëse Kosova ndahet, ajo duhet të zgjedhë se më kë do të qëndrojë, me Shqipërinë, apo me Maqedoninë”. Ka qenë kjo deklarata e ish-shefit të diplomacisë shqiptare, Besnik Mustafaj, lidhur tezën serbe të ndarjes së shtetit të ri të Kosovës, që vetëm para pak ditësh u ripërsërit nga vetë presidenti serb, Boris Tadiç. “Ky është një opsion i rrezikshëm. Them i rrezikshëm, sepse ka qarkulluar nëpër mjediset diplomatike dhe rusët e kanë artikuluar pak me zë më të lartë, por unë jam i bindur qëkur isha në Ministrinë e Jashtme, se kjo vinte nga Beogradi. Në bindjen time Kosova mund të mbijetojë e vetme si e tillë, me integritetin territorial që ka sot. Nëse Kosova ndahet, atëherë unë kam bërë një deklaratë që është marrë shumë seriozisht dhe për një kohë u zhduk shumë gjatë ideja e artikulimit të ndarjes dhe vetë serbët nuk po e artikulonin më, kur thashë se nëse do të ketë ndarje të Kosovës, ajo duhet të mendojë se me kë do të rrijë”, - tha Mustafaj gjatë një interviste televizive për “Ora News”. Sipas sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Demokratike, Kosova nuk mund të mbijetojë e vetme. “Kosova ose do t’u bashkëngjitet territoreve shqiptare të Maqedonisë, ose do t’i bashkohet Shqipërisë, që është natyrale dhe që ka probabilitet më të madh. Por nëse eventualiteti i një skenari të tillë, që mua më i duket i rrezikshëm për rajonin dhe i dëmshëm për vetë shqiptarët, ekziston, atëherë kush në Tiranë apo Prishtinë do të ketë më kurajën t’u thoshte shqiptarëve të Tetovës “Ju rrini në Maqedoni, sepse ne do të bashkohemi”! Detyrimisht ka një efekt domino, që e detyron të lëvizë. Pra, nuk ka sens pozitiv një tentativë për ndarjen e Kosovës”, - tha Mustafaj. Deklarata e tij, e bërë jo vetëm në pozicionin e ish-ministrit të Jashtëm, por edhe në rolin e një zyrtari të lartë në PD, tregon se brenda faktorit politik që qeveris aktualisht në Shqipëri, ekziston ideja e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën (vetëm në rast se kjo deklaratë është thjesht opinion personal i Mustafaj). Lidhur me miratimin e rezolutës serbe në OKB, ish-shefi i diplomacisë shqiptare tha se përpjekja e Beogradit nuk mund të ndryshojë aspak pavarësinë e Kosovës. “Kjo është një politikë e dëshpëruar edhe e politikës, edhe e diplomacisë serbe. Por ajo çka nuk e ndryshon rezultatin e pavarësisë së Kosovës është vendimi që mund të japë Gjykata Ndërkombëtare, ku unë jam i bindur se do të jetë në favor të pavarësisë, pasi gjykimi që kërkojnë serbët është për të provuar nëpërmjet gjykatës se janë shkelur ligjet e së drejtës ndërkombëtare. Nuk është shkelur asnjë ligj. Por në thelb, përsëri, pavarësisht nga përmbajtja që mund të ketë vlerësimi i Gjykatës Ndërkombëtare, ai është vetëm konsultativ, dhe jo obligativ. Pra, asgjë nuk e zhbën, asgjë nuk do të mundet. Tani Kosova duhet të ndërtojë një jetë diplomacie intensive, për të filluar dhe për të zhvilluar marrëdhëniet diplomatike bilaterale, për të ndërtuar programe zhvillimi dhe bashkëpunimi me këto vende, për të ndërtuar perspektiva miqësie me këto vende dhe me këta popuj, dhe të mos e vrasë shumë mendjen e njohën apo jo ishujt Fixhi”, - vazhdoi Mustafaj. Ai u shpreh se Kosova ka të gjitha shanset dhe mundësitë që së shpejti të jetë pjesë e strukturave euroatlantike. “Unë mendoj se Kosova ka të gjitha kushtet, madje po humb kohë për t’u integruar, për të filluar procedurat për t’u integruar në Këshillin e Evropës. Nuk është kusht që të jesh anëtar në OKB për të qenë anëtar i KE-së, ndaj duhet të fillojë procedurat për t’u interesuar për anëtarësim. Kosova e ka më të lehtë, pra ka një pengesë më pak se Serbia për t’u anëtarësuar në BE, sepse ajo nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe një nga parimet bazë mbi të cilin ndërtohet Bashkimi Evropian është njohja reciproke e pavarësisë dhe e sovranitetit të të gjithë vendeve që anëtarësohen në BE. Ndërsa Kosova e njeh sovranitetin e Serbisë”, - deklaroi Mustafaj. Megjithatë, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë theksoi se nevojitet më shumë punë nga diplomacia kosovare dhe ajo shqiptare, siç është rasti i vendeve anëtare të Konferencës Islamike. “Nuk është punuar aq sa duhet, kjo duhet marrë në konsideratë. Kishte të drejtë Veton Surroi në një shkrim që bëri para disa kohësh, që duhet marrë parasysh elementi i mosnjohjes. Unë kam takuar zyrtarë të lartë që vinin nga vende të ndryshme anëtare të Konferencës Islamike, që nuk e dinin se Enver Hoxha dhe Tito kanë vdekur. Kur flisja me ta, më thoshin pse duan të ikin nga Tito. Pra, duhet marrë në konsideratë elementi i mosnjohjes, çka do të thotë se nuk është bërë punë e mjaftueshme as nga diplomacia kosovare. Por nuk është bërë një punë “agresive” as nga diplomacia shqiptare. Por në të njëjtën kohë, mundësia për t’u ndryshuar ky opinion me një njohje reciproke është krejtësisht e realizueshme”, - përfundoi Mustafaj.