KE: Kriza të zgjidhet para 19 marsit
adi shkembi
Komisioni Evropian apelon sërish për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri. Pak ditë pas deklaratës së drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Tiranë, Pierre Mirel, vjen një tjetër mesazh i qartë nga Brukseli. Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, Stefan Fule, dy ditë para vizitës në vendin tonë, i kërkon klasës politike që të punojë në mënyrë që Shqipëria të çojë përpara reformat e duhura. "Shpresoj shumë që ngërçi që lidhet me pjesëmarrjen aktive në Kuvend të deputetëve të Partisë Socialiste, të mund të zgjidhet para vizitës sime dhe do t'u bëja thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të punojnë së bashku në mënyrë që Shqipëria të çojë përpara reformat e duhura në të mirë të vetë qytetarëve të saj, si edhe në të mirë të aspiratave të saj evropiane", thuhet në një deklaratë të Fule, të shpërndarë nga zyra e shtypit e Komisionit Evropian në Tiranë. Zyrtari i lartë, i cili zëvendësoi pak kohë më parë Oli Rehn, po zhvillon vizita në vendet e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar përparimin e secilit prej këtyre vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Gjatë vizitës në Tiranë javën e shkuar drejtori për Ballkanin, Mirel vendosi si afat pikërisht ditën e sotme për zgjidhjen e krizës politike. "Në nëntor të vitit të shkuar unë isha në Shqipëri dhe thashë që debatet politike duhet të zhvillohen në Parlament dhe jo në rrugë. Ne sot mirëpresim kthimin e anëtarëve të PS-së në Parlament. Ky është një zhvillim politik dhe shpresojmë që diskutimet, që po ndodhin në Komisionin e çështjeve Ligjore, të na çojnë në zgjidhje të kënaqshme dhe të përhershme. Dhe prandaj kërkesa ime për këtë komision do të ishte që të gjendeshin zgjidhje që do të çojnë në marrëveshje me konsensus, sepse ky është thelbësor që Shqipëria të tregojë se është demokraci e pjekur", tha Mirel. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi që palët të kenë gjetur gjuhën e përbashkët, përpara se të mbërrijë në Tiranë komisioneri për Zgjerimin, Fule. "Shpresojmë që zgjedhja të gjendet para datës 18 mars, prandaj themi që kjo do të jetë një ditë e rëndësishme. Shpresojmë që kur komisioneri Stefan Fule, të vijë në Shqipëri më 19 mars të gjejë një situatë të qartë e të vendosur", theksoi më tej Mirel. Komisioneri Fule do të takohet gjatë qëndrimit në Tiranë me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Fajon: Duhet siguruar transparenca e zgjedhjeve
Eurodeputetja Tanja Fajon i ka bërë thirrje Parlamentit që të votojë kërkesën e opozitës për të siguruar transparencën e zgjedhjeve. "Unë shpresoj që partitë e Qeverisë shqiptare, pas kthimit të opozitës në Parlament, do të japin një përgjigje pozitive ndaj kërkesave të opozitës për të ngritur një komision hetimor dhe për të siguruar transparencën e zgjedhjeve për të gjitha forcat politike në Parlament çdo herë, pas zgjedhjeve lokale apo parlamentare", tha Fajon, sipas një njoftimi për shtyp të PS. Sipas saj "hetimi dhe masat e propozuara nga opozita duhet të arrijnë transparencën e plotë si themeli i përmirësimeve të rëndësishme, në mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet në të ardhmen për të përmbushur standardet ndërkombëtare". Vetëm në këtë mënyrë do të mund të vendoset themeli i një dialogu konstruktiv mes Qeverisë dhe opozitës".