Si e zgjidh Gjykata Kushtetuese vlefshmërinë e mandatit të deputetëve
Çështja e shumëdebatuar e mandateve të deputetëve të Partisë Socialiste detyrimisht do të kalojë në tryezën e Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse asnjë nga partitë politike nuk ka depozituar ndonjë kërkesë për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së mandateve të deputetëve në rast se përfundon afati gjashtëmujor i bojkotit të deputetëve, sërish Gjykata Kushtetuese do të jetë institucioni që do të thotë fjalën e fundit në lidhje me mandatin e deputetëve socialistë. Kjo është e parashikuar në Nenin 131 të Kushtetutës, në kapitullin ku flitet për çështjet që vendos Gjykata Kushtetuese në Shqipëri. Në këtë nen thuhet se “Gjykata Kushtetuese vendos për çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës dhe të deputetëve, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre; kushtetutshmërinë e referendumit dhe verifikimin e rezultateve të tij”, - shkruhet në Nenin 131 të Kushtetutës. Kjo përcakton qartë se pavarësisht qëndrimit të partive politike në Shqipëri dhe opinioneve të ndryshme që ndajnë analistë apo konstitucionalistë të ndryshëm, çështja e mandateve do të ndahet në Gjykatën Kushtetuese.
Ligjet
Rregullorja e Kuvendit parashikon verifikimin e mandatit të deputetëve në seancën e parë të Kuvendit. Në Nenin 3 të Rregullores shkruhet se “Kuvendi, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh një Komision të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë dhe pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Propozimet për përbërjen dhe Kryesinë e Komisionit bëhen nga përfaqësuesit e grupimeve politike dhe miratohen nga Kuvendi me votim të hapur, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij. Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e hartuar nga Komisioni, duhet të nënshkruhet nga jo më pak se një e pesta e të gjithë deputetëve brenda 3 ditëve nga leximi i raportit. Nëse në përfundim të kësaj periudhe kërkesa nuk është nënshkruar dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese, deputeti ftohet të kryejë betimin”, - përfundon Neni 3. Më pas në nenin 4 përcaktohet se çfarë ndodh në rast se deputeti nuk bën betimin dhe nuk merr pjesë në seancë. “Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin. Deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi, betohen në seancën më të parë në të cilën marrin pjesë. Drejtuesi i seancës, në këshillim me Sekretarinë e Përkohshme, deklaron mbarimin e mandatit të deputetit kur ai nuk pranon të betohet ose i shmanget betimit dhe njofton menjëherë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Deklarimi i mbarimit të mandatit botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare”, - shkruhet në këtë nen, duke mos dhënë shpjegime se si hiqet mandati i deputetit. Pikërisht pasi çështja konsumohet në Komisionin Qendror Zgjedhor shkon për shqyrtim dhe për të marrë vendimin përfundimtar në Gjykatën Kushtetuese.
Debati
Për një kohë të gjatë ka pasur një debat në skenën politike shqiptare nëse digjen apo mandatet e deputetëve të PS-së në rast se ata nuk bëjnë betimin dhe në rast se vazhdojnë bojkotin më shumë se 6 muaj. Një palë, ata që përfaqësojnë të djathtën ose që kanë bindje të djathta duke iu referuar Kushtetutës, sipas tyre, mandati i deputetëve digjet, ndërsa të tjerë përfaqësues të së majtës, sërish duke iu referuar Kushtetutës, mendojnë se mandati i tyre nuk digjet. Megjithatë, konstitucionalistët, duke u bazuar në Kushtetutë, mendojnë se do të jetë e gabuar në rast se do t’u hiqet mandati deputetëve të PS-së, ashtu sikurse është thënë si nga kryeministri Berisha, ashtu dhe nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Dy më të spikaturit në këtë fushë, Luan Omari dhe Njazi Jaho, kanë komentuar në shkrime dhe intervista aspektin juridik e kushtetues të mandatit të deputetëve dhe mundësinë e ndërprerjes së tyre. Që të dy këta konstitucionalistë, të bazuar në një analizë të detajuar dhe të zgjeruar të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor të Rregullores së Kuvendit, të rasteve të mëparshme të bojkotit në këtë kaluarën, si dhe të kushtetutave të shteteve të tjera europiane e më gjerë, e konsiderojnë krejtësisht të gabuar nismën për të ndërprerë mandatin e deputetëve të PS-së, si dhe mundësinë e zëvendësimit të tyre më deputetë të tjerë nga lista e këtij subjekti politik. “Do të ishte e nxituar dhe jashtë çdo logjike juridike dhe politike marrja e një vendimi për shfuqizimin e mandatit të deputetëve kur është fjala për një grup të tërë parlamentar. Një vendim i tillë do të ishte pa precedent në praktikën kushtetuese e parlamentare të vendeve demokratike”, - ka shkruar në një koment të botuar disa kohë më parë në një të përditshme, konstitucionalisti i njohur, Luan Omari.
4 Shkurt 2010