Berisha, thirrje Ramës: Mirato planin urbanistik të Tiranës
Kryeministri Sali Berisha ka drejtuar dje punimet e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës nga ku i ka dërguar një mesazh kryetarit të Bashkisë të Tiranës që të miratojë sa më parë planin urbanistik të qytetit. Berisha vuri në dukje vonesën e gjatë të miratimit të këtij plani, të cilin ai e cilësoi jetik për zhvillimin e kryeqytetit. Kryeministri tha më tej se kjo vonesë po krijon probleme dhe nuk është në interes të banorëve të Tiranës. Ai shtoi se me miratimin e ligjit të ri të urbanistikës, do të krijohet një lehtësi për qytetarët. “Kjo vonesë është shumë e dëmshme për kryeqytetin, ndaj ai plan duhet të bëhet sa më shpejt dhe të paraqitet për miratim pranë KRRTRSH-së. Kjo është në interesin më të mirë të qytetit të Tiranës. Ligji i ri i urbanistikës e redukton në 45 ditë kohën e marrjes së lejeve të ndërtimit, duke e shoqëruar me parimin “heshtja është miratim””, - deklaroi Berisha. Duke qëndruar tek ligji i ri i urbanistikës, Kryeministri tha se disa atribute i kalojnë qeverisë dhe garantoi se projektet do të debatohen në mënyrë të hapur për median dhe grupet e interesit. “Në ligjin e ri të urbanistikës është kërkuar që të pranishëm në këtë mbledhje të jenë edhe përfaqësues të shoqatave të qeveritarëve vendorë, shoqatave të bashkive, komunave dhe shoqatave të qarqeve. Kjo e rrit transparencën e këtij forumi, të cilin mendoj që duhet ta mbajmë kështu siç është aktualisht”, - tha Kryeministri.
Projektet
Në mbledhjen e djeshme të KRTRSH-së u miratuan dhjetëra projekte të reja në fushën e infrastrukturës dhe të energjisë. Këshilli miratoi dje planin e ri për zhvillimin e plazhit të Divjakës. Kjo zonë tashmë do të ketë një projekt zhvillimi. Një tjetër projekt i miratuar ishte edhe plani urbanistik i qytetit të Peqinit. Në fushën e infrastrukturës u miratua hapja e studimit për rrugën e re Lushnjë - Berat. Kjo rrugë është pjesë e korridorit të Jugut dhe Kryeministri premtoi nisjen e shpejtë të punimeve. Në mbledhjen e djeshme të KRRTRSH-së, për rrugën Lushnjë - Berat u paraqitën 3 variante, prej të cilave varianti i rikonstruksionit të rrugës ekzistuese u vlerësua si varianti më i mirë nga ana teknike dhe ekonomike për lidhjen e këtyre dy qyteteve. Ndërsa kreu i qeverisë tha: “Ndërtimi i Boshtit të Jugut do të jetë projekti kryesor i 4 viteve që vijnë, në rast se shqiptarët do të votojnë për këtë mazhorancë”. “Besoj se çdo mazhorancë do ta konsiderojë të dobishëm ndërtimin e saj, pasi me atë bosht ne realisht kompletojmë ndërtimin e rrugëve të shkurtra zhvillimore në vend. Ndërtimi i rrugëve të shkurtra është një politikë kombëtare”, - u shpreh më tej Berisha. Një pjesë tjetër e debatit në këtë këshill ka qenë edhe për tokat bujqësore të cilat po minimizohen nga ndërtimi. Kryeministri vuri pikësynim se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në të ardhshmen. Një tjetër projekt me rëndësi që kaloi dje, ishte edhe rruga lidhëse mes portit të Vlorës dhe autostradës Levan - Vlorë. Berisha tha se me këtë projekt, Vlora do të ketë portin më të madh të vendit. Projekt tjetër në fushën e infrastrukturës ishte edhe rruga Qafë-Botë - Konispol. KRRTRSH-ja miratoi dje edhe planin për zgjerimin e portit të Durrësit. Atje parashikohet ngritja e një dallgëthyesi të madh çka do të bëjë rritjen e kapacitetit të këtij porti, i cili do të zgjerohet nga zona e Porto Romanos. Njëkohësisht, u miratuan disa hidrocentrale të reja si në Zall-Bulqizë dhe në Lukovë të Sarandës.