E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, afati i fundit për “dosjet”, shtohet presioni për firmën e Topit



Disa parti të djathta i kanë bërë apel dje kreut të shtetit, që të firmosë ligjin e ri për pastërtinë e figurave, ose siç njihet ndryshe si “ligji i dosjeve”. Republikani Sabri Godo, LZHK dhe PLL e shohin të domosdoshëm hyrjen në fuqi të këtij ligji, edhe pse kanë disa rezerva për përmbajtjen e tij. Presioni ndaj Topit ka ardhur vetëm një ditë para përfundimit të afatit zyrtar që ka në dispozicion Presidenti për të dekretuar ligjin. Republikani Godo, pavarësisht kritikave për ligjin e hapjes së dosjeve për shkak të disa mangësive, i kërkon Presidentit të Republikës firmosjen sa më të shpejtë të dekretit. Godo përmend faktin se ligji i miratuar në Kuvend përjashton nga hapja e dosjeve ish-drejtuesit e Sigurimit të Shtetit. Sipas tij, kjo është e papranueshme, pasi kanë qenë ata që kanë dhënë urdhra për përndjekjen dhe ekzekutimin e jetëve të pafajshme. Pavarësisht kësaj, politikani i vjetër mendon se kreu i shtetit duhet ta dekretojë ligjin, megjithëse ai nuk jep një përgjigje konkrete për atë që quhet dënim dhe ndarje njëherë e përgjithmonë nga e kaluara komuniste e vendit. "Unë kam thënë se ky ligj mbi dosjet nuk është i plotë. Ky lë jashtë ata që kanë organizuar dhe drejtuar Sigurimin e Shtetit dhe përndjekjen politike dhe merret me funksionarët e dorës së dytë dhe të tretë. Megjithatë, ky ligj u bë, ky ligj është më mirë sesa të mos kemi asnjë lloj ligji", - u shpreh Sabri Godo. Ditët e fundit është shtuar presioni mbi kreun e shtetit, Bamir Topi, për të dekretuar ligjin e lustracionit, ose siç njihet ndryshe ligji i dosjeve. Presidenti ka kohë edhe ditën e sotme të dekretojë ose jo ligjin për lustracionin. Nëse ai e kthen, Kuvendit do t’i duhet kohë deri në rivotimin e tij, ndërkohë që ekziston dhe mundësia që ligji të hyjë në fuqi pa firmën e kreut të shtetit, nëse nuk kthehet në Kuvend.

LZHK

Dashamir Shehi i LZHK-së ka bindjen e plotë se kreu i shtetit do ta dekretojë ligjin për hapjen e dosjeve. Kjo edhe pse, sipas tij, ligji në vetvete do të shërbejë për të larguar nga puna vetëm disa nëpunës të dorës së dytë apo të tretë. Shehi mbështet qëndrimin e Presidentit në përkrahje të ish-pronarëve dhe të përndjekurve politikë, duke denoncuar tentativat e mazhorancës për denigrimin e institucionit të Presidentit. "Z. Topi duhet ta firmosë ligjin dhe ka për ta firmosur ligjin. Nuk është ndonjë zgjidhje e madhe për çështjet dhe krimet e komunizmit, është më shumë një ligj, i cili ka të bëjë me çështjen elektorale që po afron. Nëpërmjet këtij ligji rrjedh e gjithë klasa e vjetër politike shqiptare, së cilës nuk i hyn gjemb në këmbë dhe po na drejton e sot e kësaj dite", - tha Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-së. Ai shtoi se “për herë të parë kemi një President që del në përkrahje të kategorisë së të persekutuarve dhe ish-pronarëve”. Pasi, sipas Shehit, një pjesë e politikës, një pjesë e medias dhe qeveria kërkon ta denigrojë figurën e Presidentit. “Këto janë vetëm pjesë e klanit dhe klikës së komunizmit”, - u shpreh Shehi.

Legalistët: Ligji të hyjë sa më shpejt në fuqi

Legalistët mbështesin miratimin e ligjit "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve" dhe janë në pritje të dekretimit të ligjit nga Presidenti Topi. Ata shpresojnë në hyrjen e tij në fuqi sa më parë. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të PLL-së, z. Gjanaj, pavarësisht objektit dhe sferës së ngushtë të veprimit si dhe boshllëqeve të tjera, ky ligj përbën një angazhim serioz, që duhet vlerësuar si një hap në drejtimin e duhur për dënimin e komunizmit dhe krimeve të atij sistemi. Gjanaj vuri në dukje se si një parti me identitet të qartë antikomunist dhe përfaqësuese e drejtpërdrejtë e interesave të shtresës së popullsisë që u masakrua dhe persekutua barbarisht nga regjimi komunist, PLL do ofrojë gjithë kontributin e saj për plotësimin e kuadrit ligjor. “Me qëllim që krahas dënimit shumëplanësh të komunizmit, krimeve të tij dhe autorëve të tyre, do të sigurojë në mënyrë të shpejtë një kompensim real dhe integrim të plotë në shoqërinë tonë të të gjitha viktimave të atij sistemi gjakatar. PLL-ja është e mendimit se në përputhje edhe me disa dokumente dhe rezoluta përkatëse të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ligji shqiptar për hapjen e dosjeve duhet shoqëruar edhe me akte të tjera ligjore dhe nënligjore që duhet të synojnë: sensibilizimin e brezave të rinj për krimet e komunizmit dhe rrezikshmërinë e tij; ndryshimin dhe plotësimin e teksteve shkollore që i referohen periudhës komuniste; ngritjen e përmendoreve dhe memorialëve të viktimave të komunizmit në mbarë vendin; rehabilitimin e plotë të emigrantëve politike dhe familjeve të tyre që u detyruan të largohen nga vendi për shkak të persekutimit komunist; hapjen e dosjeve dhe arkivave sekrete të shtetit lidhur me periudhën e diktaturës komuniste dhe krimet e atij sistemi”.

Aliko: Zgjerim hapësirës së ligjit të dosjeve

Shoqata e ish-të përndjekurve politikë kërkon zgjerimin e hapësirës së ligjit për pastërtinë e figurës së funksionarëve të administratës publike dhe për bashkëpunëtorët e agjenturave të huaja. Ish-i burgosuri politik, Aliko, theksoi dje se “përse duhet të presim akoma? Kemi pritur 15 vjet dhe tani më në fund ligji u aprovua nga Parlamenti shqiptar, sepse krimi duhet patjetër të dënohet”. Një numër i madh i organizatave të ish-përndjekurve politikë përmes peticioneve të ndryshme i kanë kërkuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, ditët e fundit që të dekretojë ligjin e dosjeve. Në lidhje me këtë çështje, kryetari i Shoqatës Antikomuniste të Shqipërisë, Tomor Aliko, bëri të ditur se “edhe gjatë takimit me Presidentin e Republikës, i kërkova të dekretojë sa më shpejt ligjin e “dosjeve” meqë është dëshira e të gjithë të përndjekurve dhe e gjithë popullit shqiptar”.

Pronat, Godo: Qeveria të fuqizojë AKKP-në

Presidenti i nderit i PR-së, Sabri Godo, propozon që qeveria shqiptare të fuqizojë sa më shumë komitetin për kthimin e pronave, me qëllim që të shmangen sa më shumë proceset e tejzgjatura gjyqësore. Sipas tij, gjykatat duhet të mbeten, por nëse kjo do të kalojë në kompetencë të gjykatave, atëherë shqiptarët do të hyjnë në një sherr pa fund. “Pa zgjidhur ndonjë gjë, sepse një çështje në gjykatë, një gjë e vogël fare, mund të zgjasë 20 vjet. Reforma më e mirë do të ishte që kjo agjenci e ngritur për kthimin e pronave të ketë të centralizuar në duart e veta këtë problem dhe të mbajë ajo përgjegjësi për kthimin e pronës”, - u shpreh Godo. Ai shtoi se të gjitha nismat për zgjidhjen e çështjes së pronës duhet të jenë në përputhjen me përcaktimin e qartë që është bërë në Kushtetutë. Por Godo mendon se handikapi i pronave do të frenojë sërish rrugëtimin e vendit tonë drejt Bashkimit Evropian. Godo thotë se çështja e pronave në Shqipëri kërkon një vullnet të fortë politik, për të gjetur një zgjidhje përfundimtare dhe të qëndrueshme. "Komuniteti Evropian e ka vënë si kusht zgjidhjen e pronës. Ne i kemi bërë kësaj një zgjidhjeje gjysmake sa për t’iu thënë shqiptarëve dhe Evropës që “e zgjidhëm problemin”, pa zgjidhur ndonjë gjë në themel. Dhe se zgjidhja përfundimtare është të shkojë prona tek i zoti. Këtij formulimi me tre fjalë nuk i shpëtojnë dot", - theksoi republikani Sabri Godo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›