E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vota për buxhetin e Tiranës thellon ndarjen PS-LSI

Rrëzimi i buxhetit të Bashkisë së Tiranës risolli sërish përplasjet dhe debatet midis dy partive të majta, PS e LSI. Dy ditë më parë, LSI-ja votoi kundër projektbuxhetit për 2009 të bashkisë së kryeqytetit dhe së bashku me votat e këshilltarëve të PD-së buxheti nuk mundi të miratohej. Kjo i dha shkak Partisë Socialiste që të akuzojë LSI-në për bashkëpunim me demokratët, ndërsa anëtarët e Këshillit Bashkiak që i përkasin LSI-së, sqaruan arsyet e votës kundër, duke mohuar kategorikisht se bëhej fjalë për votë politike. Përpos akuzave të ndërsjella, rasti i dy ditëve të shkuara tregoi edhe një herë se sa rrezikohet kryebashkiaku Edi Rama nga bashkimi i votave mes PD-së dhe ish-aleatit të tij, Ilir Meta.

Reagimi i PS-së

Socialistët i dhanë tone sentimentale bashkimit të votave mes LSI-së e PD-së në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit. Mimi Kodheli, në emër të anëtarëve të PS-së në Këshillin Bashkiak, tha se parmbrëmë qe një natë e trishtuar për Tiranën, ndërsa thelbi i qëndrimit politik të këtij grupi është se LSI-ja bashkoi votat me PD-në për interesa të ngushta politike. “Partia Demokratike dhe grupimi i Ilir Metës rrëzuan së bashku buxhetin e Tiranës për këtë vit, pasi e morën atë zvarrë qysh nga fundviti i shkuar. Viti 2009 e gjen Tiranën pa buxhet të miratuar ose ndryshe, pa mundësinë për të realizuar punët e kërkuara nga qytetarët, sepse Ilir Meta e grupimi i tij janë bërë njësh me Partinë Demokratike kundër qytetit tonë, kundër interesave të qytetarëve, thjesht sepse ky është një vit elektoral”, - tha Kodheli.

Kodheli i kujtoi LSI-së akuzat që bën prej një viti në adresë të PS-së për bashkëpunim me Berishën, veprim që po e bën edhe vetë. “Ne jemi të keqardhur që ish-aleati ynë, Ilir Meta, që ka një vit që akuzon Partinë Socialiste për bashkëpunimin në Parlament për të futur Shqipërinë në NATO dhe BE, mbrëmë dha një provë të qartë të gatishmërisë së tij për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike e me Sali Berishën për të futur Tiranën në qorrsokak, duke i lënë qytetarët për herë të parë në 18 vjet pa buxhetin e tyre për qytetin”, - shtoi Kodheli.

Këshilltarët e LSI-së

Grupi i anëtarëve të Këshillit Bashkiak të LSI-së në bashkinë e kryeqytetit sqaruan dje në një komunikim të zgjeruar me mediat arsyet e votës kundër. Kryemadhi dhe Dervishaj mohuan se vota kundër ka karakter politik, sikundër pretendojnë socialistët. Ata renditën të gjitha arsyet që e çuan këtë grup të japin votën kundër. Mungesa e transparencës së realizimit të buxhetit të vitit 2009, por edhe mungesa e transparencës për hartimin e buxhetit të 2009-ës nga ana e Ramës është shkaku kryesor i votës kundër, duke i shtuar këtij edhe faktin që kryebashkiaku nuk ka marrë parasysh asnjë prej kërkesave të LSI-së për të përmirësuar planin qeverisës së Tiranës për vitin 2009. “Dua të theksoj që LSI-ja nuk ka bashkuar asnjëherë votat me PD-në, sepse ne këtë qëndrim kemi mbajtur gjithmonë. Ne kemi votuar kundër edhe në votimin që bëri Këshilli Bashkiak për dy parkingjet nëntokësore, të cilat kishin pas tyre interesat e PS-së dhe PD-së. Ne kemi votuar edhe kundër shumë vendimeve të tjera për dhënien e ambienteve me qera, të cilat janë çështje interesi të vogla të partive të ndryshme”, - tha Kryemadhi.

Këshilltarët e PD-së: Buxheti i Ramës, buxheti i korrupsionit

Grupi i anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Partisë Demokratike reagoi dje ndaj rrëzimit të projektbuxhetit të bashkisë së kryeqytetit. Në një deklaratë për shtyp të këtij grupi thuhet se ai është një buxhet i falangave të Tiranës.

“Buxheti i Ramës, nga shpjegimi i të cilit iku me turp, dhe me po aq turp ikën edhe këshilltarët e tij radhën e parë, duke bërë të pamundur votimin herën e parë, është një buxhet në shkelje të ligjit, është një buxhet i falangave të Tiranës, është një buxhet i projekteve që paguhen dy herë, është një buxhet i vetmisë së madhe, është një buxhet jo transparent në shkelje flagrante të ligjit”, - thuhet në këtë deklaratë. Përfaqësuesit e së djathtës në Këshillin Bashkiak mendojnë se cilido qytetar i Tiranës do ta rrëzonte atë buxhet që lë pa ndërtuar njësitë bashkiake, që e ka katandisur sheshin “Skënderbej” në gjendje të mjerueshme, që mban në dispozicion të tij 1/10 e buxhetit të padestinuar, përbuz dhe nuk merr parasysh kërkesat e ligjshme të kryetarëve të njësive bashkiake të Tiranës, të këshillave të këtyre njësive, të komuniteteve të tyre. “Dje, Këshilli Bashkiak i Tiranës me një votim spektakolar rrëzoi të ashtuquajturin buxhet të paraqitur nga Rama ose më mirë të përgatitur dhe destinuar për Koço Kokëdhimën. Aq e qartë ishte kjo në atë dokument, sa pas orë e orë diskutimesh në mbledhjen e mëparshme ku u evidentuan sëmundjet, shkeljet, abuzimet, klientelizmi i këtij buxheti nga Rama dhe administrata e tij mediokre, por edhe pa asnjë vullnet për të gjetur konsensusin, saqë asnjë përpjekje nuk ishte bërë për të përmirësuar defektet e jashtëzakonshme të dokumentit”, - shtojnë anëtarët e së djathtës në këshill. Ata e konsideruan një ditë të trishtuar për klikën Rama në Bashkinë e Tiranës, por ishte një ditë e gëzuar për qytetarët, ndaj uzurpimit të bashkisë nga interesa elektorale, abuziviste, tregtare. “Votimi i djeshëm ishte i vetmi instrument që kishim për të mbrojtur interesat e qytetarëve”, - u shprehën ata.

Me afrimin e afatit kohor për të rikonfiguruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në bazë të Kodit Zgjedhor të sapomiratuar, Partia Socialiste është duke diskutuar për emrat që duhet ta përfaqësojnë atë. Jo zyrtarisht dhe ende pa u marrë në shqyrtim nga strukturat vendimmarrëse, lakohen disa emra të njohur brenda selisë rozë. Por burimet brenda kësaj partie sqarojnë se realisht drejtuesit e kësaj partie, kryesisht në diskutimin mes Ramës dhe kryetares së grupit parlamentar Valentina Leskaj, është menduar se emrat që duhet të përzgjedhin për të qenë kandidatë për në KQZ, duhet të vijnë jo nga strukturat e partisë, pra jo të integruar. Megjithatë, burimet saktësojnë se nuk ka ende një vendim konkret dhe se gjithçka është në dorën e vetë kryetarit Edi Rama për të vendosur. Ndërsa në media është përfolur një tjetër version, ai që një prej anëtarëve ekzistues të PS-së në KQZ do të gëzojë fatin e rikandidimit duke i shtuar këtu edhe një tjetër emër. Sipas ekspertëve, partitë duhet të rikonfigurojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve deri në datën 10 shkurt, ndërsa partitë deri më tani, të paktën publikisht, nuk kanë shfaqur asnjë lloj interesi për të zgjedhur dhe zbuluar emrat që duhet t’i përfaqësojnë. Veç kësaj, dy partive të mëdha u duhet të mbyllin mosmarrëveshjet me të vegjlit, për shkak të një anëtari që duhet të vijë respektivisht nga të dyja palët me pëlqimin e PD-PS. E djathta duket se u ka dhënë fund dhe e ka të qartë se kujt i takon anëtari nga partitë aleate, ndërsa vazhdojnë problemet mes të majtëve. Mundësia e fundit që i mbetet LSI-së që të përfaqësohet, por edhe PS-së që të pajtohet me ish-aleatin, është që të lejojë që anëtari tjetër të vijë nga radhët e kësaj partie, megjithëse kjo do të ngjallë xhelozinë e reagimin e Gjinushit. KQZ-ja ka qenë përherë mollë sherri mes partive politike.

Gjykata e Rrethit të Tiranës ka rrëzuar kërkesën e Petro Koçit si përfaqësues i Partisë Socialiste ‘91 për regjistrimin e këtij subjekti në regjistrin e partive politike. Ngjashmëria me simbolet e Partisë Socialiste e kanë bindur gjyqtarin Artur Gaxhi që të mos pranojë regjistrimin e këtij subjekti politik. Në vendimin e firmosur nga gjyqtari theksohet se ka një përputhje emri ndërmjet subjektit të përfaqësuar nga Petro Koçi dhe Partisë Socialiste të Shqipërisë. “Kështu, nga dosja e regjistrimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, rezulton se ajo është krijuar në vitin 1991 dhe pikërisht vënia e shifrave ‘91 pas emrit të kërkuesit, jo vetëm që nuk e bën të dallueshëm qartë emërtimin e kësaj partie nga emërtimi i Partisë Socialiste të Shqipërisë, por e bën atë të njëjtë me të dhe konfuzon më tepër njerëzit e votuesit, duke krijuar përshtypjen që kemi të bëjmë me të njëjtën parti politike”, - thuhet në vendimin e gjykatës. Gjyqtari Gaxhi konstatoi gjithashtu se edhe emblema (stema) e Partisë Socialiste ‘91, përputhet me emblemën (stemën) e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Të njëjtin konfiguracion paraqet edhe logoja dhe vula e të dyja partive politike, pra si e kërkuesit subjekt politik “Partia Socialiste ‘91”, ashtu dhe ajo e “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, duke krijuar kështu përshtypjen, por edhe bindjen që kemi të bëjmë me të njëjtën parti politike”. Ligji përcakton se në zgjedhje partitë politike regjistrohen në fletët e votimit me iniciale. Kjo është arsyeja që edhe këto iniciale duhet të jenë të dallueshme, ndërsa Gjykata e Tiranës ka konstatuar se edhe në këtë pikë ka përputhje.

Nënkryetari i grupit kuvendor socialist, Erion Braçe, akuzoi qeverinë dhe Kryeministrin se me varfërinë e skajshme po i shtyn shqiptaret drejt vetëvrasjes. Ai e konsideroi masakër sociale shifrën prej 331 të vetëvrarëve në vitin 2008, ndërkohe që për 12 ditët e para të këtij viti 16 shqiptarë i kanë dhënë fund jetës për shkak të krizës ekonomike dhe mungesës së perspektivës. Braçe ka shprehur shqetësim në lidhje me numrin e të vrarëve e të të vetëvrarëve në ditët e para të këtij fillim viti. Përmes një deklarate për mediat, deputeti Erion Braçe ka thënë: “Që në 12 ditët e para të janarit, 16 vetëvrasje kanë ndodhur duke paralajmëruar një masakër të re vjetore. Vetëm të dielën dhe dje, janë 5 viktima, një 55-vjeçar në burg, një fëmijë 14 vjeç në shtëpi, një nënë e dy fëmijëve në Vjosë, një tjetër nënë në shtëpinë e saj”. Braçe është shprehur se Kryeministri Berisha, në vend që të merret me llogaritjen e shifrave të rreme të rritjes ekonomike, duhet të hedhë sytë mbi disa shifra të tjera, që kanë të bëjnë me numrin e shqiptarëve të cilët i kanë dhënë fund jetës, për shkak të kushteve të vështira të jetesës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›