E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, thirrje Ramës për reflektim ndaj ligjit të dosjeve

>Kryeministri ftion socialistët të marrin pjesë në komisionin e verifikimit të figurave
Debati për ligjin e dosjeve është rikthyer sërish nga kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD. Duke ju referuar akuzave të opozitës për pasojat negative që sjell ligji i miratuar nga mazhoranca në jetën e vendit, kryeministri Berisha nuk ka hezituar ti ftojë edhe njëherë socialistët për të reflektuar rreth këtij ligji duke marrë pjesë në komisionin e hetimit të figurave.       
Duke folur në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha i bëri thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama që të shtrojë para vetes dy pyetje të rëndësishme para se të vendosë një qëndrim kundër zbatimit të këtij ligji. Kryeministri tha se kryetari i opozitës duhet të shtrojë në mënyrë qytetare dy pyetje: nëse krimet e regjimit totalitar të Enver Hoxhës përbëjnë krime kundër njerëzimit dhe se a duhen dënuar këto krime. Unë i drejtoj kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, pavarësisht qëndrimeve që ka mbajtur, një thirrje të hapur dhe të sinqertë. Përpara se të vendosë, për ligjin e dosjeve të shtrojë para vetes në mënyrë qytetare vetëm dy pyetje. Pyetja e parë: A përbëjnë krimet e regjimit totalitar të Enver Hoxhës, krim kundër njerëzimit apo jo? Dhe së dyti: A duhen dënuar krimet kundër njerëzimit? u shpreh Kryeministri.  Në këtë kontekst Kryeministri tha se në rast se çdo njeri do t`u referohet dokumenteve bazë që përcaktojnë se cilat janë krimet kundër njerëzimit dhe se çfarë përbën krim kundër njerëzimit në të gjitha statutet dhe eksperiencën botërore, në të gjitha përcaktimet, krimet kundër njerëzimit janë akte veçanërisht të ulëta që përbëjnë sulm ndaj dinjitetit njerëzor, poshtërime të rënda, tortura, degradim të qenieve njerëzore, persekutime për qëllime politike, fetare, raciste etj. Kryeministri theksoi se ato nuk cilësohen si të tilla, kur janë akte sporadike, por janë të tilla kur janë elementë të një politike të caktuar, kur janë të përhapura dhe të përsëritura. Meqenëse gjatë gjithë këtyre muajve z. Rama ka adaptuar një qëndrim të papranueshëm në këtë drejtim, e ftoj edhe njëherë t`i shtrojë vetes pyetjen, a janë krime kundër njerëzimit, mijëra e mijëra ekzekutime në emër të luftës së klasave, pra të një platforme politike të shpallur publikisht. A janë krime kundër njerëzimit me dhjetëra mijëra internime të bazuara në një platformë politike të luftës së klasës dhe armikut të klasës? A përbëjnë krime kundër njerëzimit shkatërrimi masiv i vlerave kulturore dhe fetare dhe imponimi i ateizmit, poshtërimi ndaj dinjitetit njerëzor të besimtarëve, a përbëjnë krime kundër njerëzimit sistemi i tollonave që vendosi në Shqipëri regjimi? A përbëjnë krime kundër njerëzimit torturat dhe persekutimet masive? Të na thotë z. Rama , t`u thotë shqiptarëve çfarë i konsideron ai këto. Të dalë dhe të përgjigjet, theksoi më tej Kryeministri Berisha.  Në këtë kontekst, Kryeministri tha se nuk ka vend që të ketë përjetuar ato që përjetoi Shqipëria nga regjimi komunist. Këto krime, u shpreh Kryeministri ishin të lidhura me politika qeveritare dhe si të tilla konsiderohen nga konventat dhe ligjet ndërkombëtare si krime kundër njerëzimit. Konventat dhe ligjet ndërkombëtare për krimet kundër njerëzimit, doktrina mbi këto krime, është e qartë si kristali. Përgjegjës për këtë janë jo vetëm hartuesit e platformave, por edhe ekzekutuesit e akteve qoftë edhe një apo dy akteve të vetme në kuadrin e një situate të krimeve kundër njerëzimit, pra të krimeve të përhapura, theksoi Kryeministri.  Në të gjithë doktrinën e sotme mbi krimet kundër njerëzimit, vijoi Kryeministri Berisha, e tillë konsiderohet çdo gjë mizore e kryer në shkallë të gjerë. Ishin të kufizuara pushkatimet në Shqipëri? Janë më të shumta se ish-vendet komuniste të marra së bashku përveç Bashkimit Sovjetik. Ishin të kufizuara internimet në Shqipëri? Ato ishin kolektive me gra dhe fëmijë më të shumta se në çdo vend tjetër. Ishin të kufizuara persekutimet politike apo fetare në Shqipëri? Në cilin vend të botës u arrestua kleri në tërësi u ekzekutua? Ndaj dhe i bëj thirrje zotit Rama sërish të ndalet mbi këtë moment, nënvizoi Kryeministri Berisha. Kryeministri tha se ligji i sapomiratuar i lustracionit është përgjigja më e butë dhe përpjekja më e ndershme për ndarjen nga e shkuara. Ligji i lustracionit është absolutisht përgjigja do të thosha më e butë, dhe përpjekja më e ndershme që ne kërkojmë të bëjmë për ndarjen nga ajo e shkuar. Absolutisht më e buta. Unë mendoj se kjo është një zgjidhje e drejtë. Natyrisht kjo përbën një çështje madhore politike, e një politike që kërkon të ndahet nga një e shkuar, të ndahet nga krimi monstruoz kundër njerëzimit, u shpreh Kryeministri. E gjitha kjo, vijoi Kryeministri Berisha, synon të mbyllë një kapitull që është ende i hapur, qartësisht i hapur. Uroj që këtë mesazh të mos e gjykojmë me verbëri politike, por me dokumentacione, me praktikat më të mira e më të qytetëruara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›