Rama kërkon hetim për procesin zgjedhor
Partia Socialiste kërkon hetim të ecurisë së procesit zgjedhor në vend. Këtë hetim kërkon ta bëjë nëpërmjet një komisioni parlamentar “ad hoc”, që të monitorojë procesin e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore. Sipas propozimit të kryetarit të kësaj partie, Edi Rama, infrastruktura zgjedhore që bazohet në tri shtylla kryesore, regjistri elektronik, listat zgjedhore dhe kartat e identitetit kanë nevojë për një vëzhgim parlamentar deri në zhvillimin e zgjedhjeve. E duket se kërkesa e PS-së nuk do të gjejë asnjë pengesë tek mazhoranca në pushtet, pasi vetëm pak orë më vonë Kryeministri Sali Berisha ka pranuar këtë propozim. Rama tha dje se “ne e quajmë absolutisht të domosdoshme ngritjen e një komisioni parlamentar “ad hoc” që të monitorojë procesin e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore dhe të ushtrojë kontrollin e posaçëm të Parlamentit mbi strukturat qendrore e vendore të përfshira në këtë proces gjatë gjithë periudhës së mbetur deri në zgjedhje”. Në lidhje me kartat e identitetit, Rama kërkoi nga qeveria shqiptare që me një vendim të posaçëm të japë përparësi për shtetasit që nuk kane pasaportë, pasi sipas tij, këta të fundit janë shtetasit që rrezikojnë të mos votojnë fare nëse nuk pajisen dot me karta identiteti.
“Ne propozojmë që Këshilli i Ministrave të nxjerrë pa humbur kohë një vendim të ri, ku të urdhërojë, në bazë të listës zyrtare të shtetasve pa pasaportë, shpërndarjen e emrave të tyre sipas çdo njësie vendore deri në datën 31 janar 2009”, - sqaroi kryesocialisti Edi Rama. Sipas tij, autoritetet vendore duhet të ngarkohen që përveç publikimit zyrtar të listës përkatëse të banorëve të njësisë së tyre pa pasaportë, t'i njoftojnë nominalisht këta shtetas që të aplikojnë për kartën e identitetit, sipas një kalendari të bërë publik, duke i njohur me sanksionet e përcaktuara në rast mospajisjeje me kartë në afatin e parashikuar.
“Vetëm kështu ne besojmë se mund të arrihet që rreth 740 mijë qytetarët e qytetaret votues që nuk disponojnë pasaportë, të mund të pajisen me kartë identiteti para 28 qershorit”, - shtoi Rama. Në lidhje me këtë çështje, socialistët i referohen asaj pjesë të Kodit Zgjedhor që parashikon që shtetasit mund të votojnë edhe me pasaportë. Burimet thanë se socialistët, duke menduar se mund të ketë qytetarë që s’mund të arrijnë të marrin dot një kartë identiteti, kanë dhënë konsensusin për këtë pikë, pra të lejohet votimi me pasaportë. Një tjetër çështje së cilës Rama i kushtoi vëmendje është ajo e regjistrit elektronik. Sipas tij, janë mbi 100 mijë publikime edhe në regjistrin elektronik që duhen korrigjuar sa më parë. I pyetur nga gazetarët në lidhje me kompozimin e KQZ-së sipas Kodit Zgjedhor, Rama e konsideroi atë një çështje të zgjidhshme, edhe pse selia rozë vazhdon t’i mbajë mister emrat që dëshiron t’i përfaqësojë në këtë institucion.