Kuvendi nis punën, Fatos Nano në seancë
Kuvendi nisi dje punimet, duke hapur seancën e parë parlamentare për këtë vit. Seanca u drejtua nga nënkryetari i Kuvendit, Neritan Ceka, për shkak se kryetarja Topalli ndodhet në SHBA dhe nuk zgjati më shumë se 15 minuta, si dhe numri i deputetëve ishte i vogël, më pak se 71 të pranishëm. E vetmja gjë që dukej se përbënte lajm dje ishte prania e ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano, në sallë. Pas shumë kohësh ai është rikthyer në një seancë plenare, më shumë për hir të rregullores së Kuvendit që nuk lejon një mungesë më të gjatë se 6 muaj sesa për të qenë prezent në ndonjë ngjarje me rëndësi për jetën parlamentare. Nano kandidoi për President, por nuk mundi të merrte votat e partisë së tij dhe në fund të garës ia dha votat e deputetëve të tij mbështetës, Bamir Topit. Përveçse është larguar nga jeta parlamentare, ish-kreu i PS-së është larguar prej kohësh dhe nga jeta politike duke mos mbajtur qëndrim as në konfliktin e së majtës mes PS-së dhe LSI-së. Ai nuk ka afrimitet me pasardhësin e tij, Rama, i cili u zgjodh pa bekimin e tij në krye të partisë të cilën e drejtoi për 14 vjet rresht. Ndërkohë në seancën e djeshme, deputetët miratuan axhendën e punës për tri javët në vijim. I vetmi që kërkoi fjalën ishte deputeti i PS-së, Kastriot Islami, i cili kërkoi ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për të monitoruar procesin e zgjedhjeve.