E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimi i vlerës së tokës vonon kompensimin e pronarëve



Ish-pronarët, të cilët kanë aplikuar për kompensim financiar, do të duhet të presin edhe pak kohë për të përfituar kompensimin. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kishte premtuar se do të shpallte fituesit brenda datës 20 janar, por kjo nuk ndodhi për shkak të një problemi teknik dhe ligjor. Qeveria ka ndryshuar tashmë një pjesë të madhe të hartës së tokës, duke rritur vlerat në disa rrethe të vendit. Këto ndryshime hynë në fuqi, duke bërë të mundur që të procesi të shtyhet. “Kanë hyrë në fuqi ndryshimet në hartën e vlerës së tokës dhe ne na është dashur të nisim nga e para rishqyrtimin e 740 aplikuesve. Do të na duhet edhe pak kohë të shpallim fituesit”, - deklaroi dje për gazetën zëvendësdrejtori i AKKP-së, Genci Çelo. Ai tha më tej se rishikimi i hartës së tokës do të ndryshojë edhe vlerën e kompensimit për fituesit, në varësi të vendit ku ai ka kërkuar kompensim. Gjithsesi, ai konfirmoi edhe faktin e vonesës për këtë shkak, por nuk dha një afat konkret se kur do të përfundojë procesi i shpalljes së fituesve nga mbi 740 aplikimet për kompensim financiar.

Përfituesit

Numri dy i agjencisë, Çelo, konfirmoi dje disa dhjetëra aplikues, të cilët janë skualifikuar për shkak të mangësive në dokumentacion. Kjo do të thotë se afërsisht 700 persona kanë mbetur në garë për të përfituar nga fondi 5 milionë dollarësh dhe parashikohen që afërsisht të ketë 200 fitues. Ky numër është më i madh se në vitet e kaluara, kur në vitin 2007 u kompensuan vetëm 119 ish-pronarë. Numri pritet të rritet për shkak se përfituesit do të jenë nga të 12 qarqet. Gjithsesi, do të ketë më pak ish-pronarë të kompensuar, për shkak të rritjes së vlerës së tokës, por kjo do të varet nga vendndodhja e sipërfaqes së kërkuar për kompensim. Gjithashtu, kriteret nuk kanë ndryshuar për përfitimin e fondit dhe duket se subjektet që kanë truall për kompensim në Tiranë do të jenë më të favorizuarit se ata në rretheve të tjera. Subjektet që kanë më shumë mundësi të përfitojnë do të jenë ata që kanë përfituar njohjen e pronës në vitin 1993, por që nuk kanë marrë kompensim në një nga format e parashikuara nga ligji më parë. Përfituesit e këtij viti do të përfitojnë kompensim sipas procedurës së vitit të kaluar. Sasia e truallit deri në 200 metra dhe një renditje sipas datës kronologjike të dhënies së vendimit, do të jenë dy kriteret kryesore. Kriteret e përfitimit janë që së pari, personi ose subjekti i shpronësuar të mos ketë përfituar më parë; së dyti, prona të jetë truall. Në raste të veçanta do të ketë ndërhyrje me ndonjë ndryshim të renditjes kronologjike, por kjo do të bëhet vetëm duke pasur parasysh kërkesat. AKKP-ja ka garantuar se nuk rrezikohet djegia e fondit, pasi është rënë dakord që procesi të shtyhet për fillimin e vitit të ardhshëm.

Aplikuesit nga Durrësi dhe Tirana do të përfitojnë më shumë se më parë

Fituesit e kompensimit parashikohet të jenë kryesisht nga rrethi i Tiranës dhe Durrësit. Por këta fitues do të kenë mundësi të fitojnë më shumë para si kompensim në krahasim me ish-pronarët që kanë fituar kompensim vite më parë dhe kjo për shkak të ndryshimit të vlerës së tokës, e cila ka pësuar rritje. Qeveria ka miratuar një ndryshim në hartën e tokës në Tiranë dhe Durrës, duke bërë që subjektet në këtë qytete të përfitojnë më shumë se ata të viteve më parë. Në qytetin e Tiranës pothuajse kanë ndryshuar të gjitha vlerat në zonën urbane. Vendimi i qeverisë ka prekur edhe qytetin e Durrësit. Janë përcaktuar edhe vlerat e tokës në këtë rreth, si dhe për pjesën e plazhit, duke përfshirë edhe komunat që lagen nga deti, si Golemi. Vendimi ka përcaktuar se ish-pronarët që kanë pasur tokë në zonën 5/2 në Tiranë që i bie afër stadiumit “Selman Stërmasi”, lagjes Shushica si dhe liqenit, do të kompensohen me një vlerë prej 120 mijë lekësh të reja për metër katror. Vendimi i mëparshëm e kishte maksimum 52 mijë lekë për metër katrorë kompensimin në këtë zonë dhe praktikisht vendimi i djeshëm e ka dyfishuar. Me të njëjtën vlerë, do të përfitojnë kompensim ish-pronarët që kanë pasur tokë në zonën e Pazarit të Ri, afër 9-katësheve, afër shkollës “Avni Rustemi”, në rrugën “Myslym Shyri”, tek Drejtoria e Policisë Tiranë, afër Kishës Katolike, tek PTT, tek Albtelekomi, si dhe tek Lidhja e Shkrimtarëve. Të gjithë ish-pronarët e këtyre zonave do të kompensohen me 120 mijë lekë të reja për metër katror, nga 52 mijë lekë që ishte në vendimin e mëparshëm. Rritje të kompensimit do të përfitojnë edhe ish-pronarët e tokave në zotën e Piramidës, afër stadiumit “Qemal Stafa”, në zonën e ish-bllokut, afër Librit Universitar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›