E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligjet miratojnë marrëveshjen me komunitetet fetare



Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi dje të tria marrëveshjet për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella mes qeverisë shqiptare dhe komuniteteve fetare në Shqipëri, përkatësisht me Komunitetin Mysliman, Kishën Ortodokse Autoqefale dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Deputetët i miratuan në konsensus këto marrëveshje. Shteti u njeh komuniteteve fetare të drejtën e pronës mbi sende të paluajtshme dhe të luajtshme me të gjithë elementët përbërës të tyre. Komunitetet fetare, sipas kësaj marrëveshjeje, rinjihen si trashëgimtarë të pronave përkatëse. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, shteti trajton me përparësi kërkesat e komuniteteve fetare të Shqipërisë, për kthimin dhe kompensimin e pronave të veta. Për sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore fetare, objektet e kultit që kanë statusin e Monumentit të Kulturës t’u kthehen në pronësi komuniteteve fetare dhe të mbrohen dhe të trajtohen nga ligji për trashëgiminë kulturore. Shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për nevoja e interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e komuniteteve fetare. Kurse në nenin 14 është parashikuar detyrimi i komuniteteve fetare për t’u regjistruar në organet tatimore, sikundër çdo person juridik jofitimprurës në përputhje me legjislacionin në fuqi. Marrëveshjet e veçanta me secilin komunitet parashikojnë rregullimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet shtetit shqiptar dhe secilit prej tyre, garantimin dhe respektimin e të drejtave të sanksionuara në Kushtetutë dhe ligjeve në fuqi për lirinë e ndërgjegjes dhe ushtrimit të fesë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›